Rama dhe Berisha fituan nga mosorganizimi i protestës: Mikrofonaxhinjtë penguan alternativën, sot establishmenti ulet në tryezat ndërkombëtare …

Nga Redaksia – Shqiptarëve iu shit për muaj të tërë një histori që sot po tregon pasojat e saj politike. Sa herë që ngrihej ideja për krijimin e një grupimi të ri politik nga studentët dhe qytetarët e pakënaqur, dilnin në skenë trimat e mikrofonit për të kundërshtuar çdo përpjekje organizimi.

Me parullën se krijimi i një grupimi politik do t’i shërbente Edi Ramës, se protesta do të shtypej dhe se çdo organizim do të ishte një kurth politik, qytetarëve iu kërkua të qëndronin pa përfaqësim, pa strukturë dhe pa një alternativë të tyren.

Dhe kush përfitoi nga kjo strategji?

Edi Rama dhe Sali Berisha!

Pikërisht dy figurat që kanë dominuar politikën shqiptare për 35 vite. Sa më shumë që qytetarët të mbeteshin të paorganizuar politikisht, aq më e sigurt do të ishte vazhdimësia e sistemit që ata përfaqësojnë.

Sot, ndërsa studentët vazhdojnë protestën dhe pakënaqësia ndaj qeverisjes është e dukshme, në Ambasadën Amerikane zhvillohet një takim me tre përfaqësues të politikës ekzistuese: deputeten e pavarur Marjana Koçeku, deputetin e Partisë Mundësia, Erald Kapri dhe nënkryetarin e PD-së, Nikola Kedhi.

Tre emra që paraqiten si përfaqësues të brezit të ri, por që vijnë nga struktura të një realiteti politik të kontrolluar prej establishmentit të vjetër.

Këtu qëndron ironia më e madhe: studentëve dhe qytetarëve që kërkonin një alternativë të pavarur iu tha të mos organizoheshin, ndërsa sot hapësirën politike dhe diplomatike e zënë sërish përfaqësues të partive dhe strukturave ekzistuese.

Partitë e vogla, në këtë skemë, nuk janë domosdoshmërisht alternativë ndaj sistemit. Ato mund të funksionojnë si pjesë e të njëjtit mekanizëm politik, duke krijuar përshtypjen e ndryshimit pa prekur realisht ekuilibrat e establishmentit.

Ndërkohë, trimat e mikrofonit që dikur bindnin qytetarët se organizimi politik ishte gabim, duhet të japin përgjigje për rolin që luajtën në këtë proces.

Pse duhej që protesta të mbetej pa një forcë politike të pavarur? Pse çdo ide për organizim sulmohej? Pse qytetarëve iu kërkua të kishin vetëm zemërim, por jo një strukturë për ta kthyer atë në ndryshim politik?

Loja ishte e thjeshtë: mbajini qytetarët në rrugë, por mos i lini të krijojnë një alternativë që mund t’u marrë pushtetin atyre që e kanë ndarë politikën shqiptare prej dekadash.

Dhe sot, kur ndërkombëtarët zhvillojnë takime me përfaqësues të politikës ekzistuese, shqiptarët duhet të kuptojnë se kush doli i fituar nga kjo histori.

Jo studentët. Jo protestuesit. Jo qytetarët që kërkonin ndryshim.

Përfituesit janë Rama dhe Berisha, bashkë me mekanizmin politik që i mban të dy në qendër të lojës.

Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër riciklim të establishmentit, as për parti të vogla që shërbejnë si fasadë e ndryshimit. Ka nevojë për një forcë të pavarur, që nuk kontrollohet nga Rama, Berisha apo interesat e tyre politike.

Sepse pa një alternativë të vërtetë, protesta rrezikon të kthehet në një tjetër episod zemërimi qytetar, nga i cili në fund përfitojnë përsëri të njëjtët njerëz.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top