ANALIZA: Shqipëria, një bor*ello e madhe që drejtohet nga një njeri i papërgjegjshëm …

Nga Redi Minga:

Shumë prej jush mund të reagoni të revoltuar ndaj këtij titulli, madje mund të shani e të ofendoni. Por kjo nuk ndryshon asgjë nga realiteti që po jetojmë. Nuk më intereson se çfarë mendojnë disa injorantë që nuk dinë as nga lidhet gomari, sepse problemi i Shqipërisë nuk është mënyra se si flitet për të, por gjendja në të cilën është katandisur.

Sot Shqipëria ka një popull të lodhur, të rraskapitur dhe të dorëzuar. Një popull që pranon gjithçka që i bën Edi Rama, sikur të mos kishte më as dinjitet, as krenari dhe as të drejtë për të reaguar. Kjo gjendje nuk nisi sot. Ajo ka vite që vazhdon, që nga fillimi i pseudodemokracisë, por me përqendrimin e pushtetit në duart e Edi Ramës, Shqipëria është kthyer në një bordello politike, ku gjithçka duket se ka çmimin e vet dhe ku qytetari është ai që paguan faturën.

Rama bën çfarë të dojë me ligje, me vendime dhe me pushtetin që ka në duar, ndërsa një pjesë e shqiptarëve vazhdojnë të heshtin. Një popull që është gati të konfliktohet, madje edhe të vrasë komshiun për një vend parkimi, por nuk gjen forcën të reagojë kur të rinjtë përballen me dhunën e forcave të policisë gjatë protestave.

Dhe këtu qëndron turpi më i madh!

Kur djemtë dhe vajzat dalin në rrugë për të protestuar, ju qeshni, i përqeshni dhe i quani të paguar. Kur përballen me uniformat e policisë, ju vazhdoni të pini kafenetë sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Kur kërkojnë një të ardhme më të mirë, ju i shikoni si njerëz që kanë dalë të prishin qetësinë tuaj të përditshme.

Por a e kuptoni se çfarë po bëni? A e kuptoni se me heshtjen tuaj po i lini këta të rinj të luftojnë të vetëm kundër një sistemi që nesër do t’ju prekë edhe juve?

Shqiptarët janë bërë një popull që manipulohet me lehtësi. Edhe kur të vërtetën e kanë përpara syve, refuzojnë ta shohin. Mjafton të ngresh zërin kundër pushtetit dhe menjëherë të etiketojnë si të paguar nga Sorosi, Rama apo Berisha. Nuk interesohen për atë që thua, nuk analizojnë faktet, por kërkojnë vetëm një mënyrë për të të diskredituar.

Ndërkohë, disa portale që deri dje nuk guxonin të flisnin hapur kundër Ramës, sot përpiqen të bëjnë zhurmë duke e çuar debatin nga Serbia, nga këtu e nga atje, duke kërkuar klikime dhe duke luajtur me interesat e publikut. E kur vjen puna te interesat, tenderat, ndërtimet dhe përfitimet, shqiptarët kanë arsye të kërkojnë të dinë se kush qëndron pas tyre.

Shqipëria është kthyer në një skenë ku politika duket si një bordello e madhe, ku pushteti, interesat dhe pazaret kanë zënë vendin e përgjegjësisë. Një vend ku, sipas kësaj tabloje politike, njerëz të vendosur në pozicionet më të rëndësishme duket se i shërbejnë më shumë interesave të tyre sesa qytetarëve.

Dhe ju, o shqiptarë, vazhdoni të zgjoheni në mëngjes, të shkoni në punë, të hani një copë bukë, të ktheheni në shtëpi dhe të uleni në kafe. Pastaj hapni rrjetet sociale, shani njëri-tjetrin dhe mendoni se e keni kryer detyrën tuaj si qytetarë.

Ju duket vetja të zgjuar kur fyeni dikë që ngre zërin, por nuk kuptoni se padituria më e madhe është të mos dallosh rrezikun që po të afrohet.

Disa prej jush arrijnë deri aty sa të përjetojnë një lloj kënaqësie kur shohin të tjerët të protestojnë, të përballen me policinë dhe të kërkojnë llogari nga qeveria. Ju zgerdhiheni nga kafenetë, ndërsa ata që tallni mund të jenë pikërisht njerëzit që po përpiqen të mbrojnë edhe të ardhmen tuaj.

Por mbajeni mend mirë një gjë: heshtja juaj sot nuk do t’ju shpëtojë nesër!

Kur një ditë kjo skemë pushteti të mos funksionojë më, kur interesat të përplasen dhe kur njerëzit që sot përfitojnë nga kjo gjendje të kërkojnë të largohen, qytetarët e zakonshëm mund të mbeten përballë pasojave. Ata që sot heshtin dhe bëjnë sikur nuk shohin, rrezikojnë të mbeten pa asgjë, ndërsa të tjerët të largohen si prostitutat nga një bordello që po mbyllet, vetëm me një çantë në dorë.

Dhe atëherë do të jetë tepër vonë për të kuptuar se çfarë keni lejuar të ndodhë.

Sot Shqipëria është në rrezik. Jo vetëm nga ata që qeverisin, por edhe nga indiferenca e atyre që shohin gjithçka dhe nuk reagojnë. Një pushtet që nuk përballet me kundërshtim qytetar, një shoqëri që tallet me protestat dhe një popull që nuk beson më asgjë, përveç propagandës që i përshtatet bindjeve të veta, krijojnë terrenin ideal për vazhdimin e kësaj gjendjeje.

Prandaj, mos u sillni si spektatorë në shkatërrimin e vendit tuaj. Mos i përqeshni ata që paralajmërojnë. Mos i quani të paguar të gjithë ata që flasin kundër Ramës. Mos prisni që padrejtësia të trokasë në derën tuaj për të kuptuar se ekziston.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë bordello e Rilindjes, ndërsa shqiptarët të sillen sikur janë klientë të kënaqur të saj.

Zgjohuni, sepse nesër mund të mos ju mbetet asgjë tjetër përveç një çante në dorë dhe një pyetjeje: pse heshtëm kur kishim ende mundësi të reagonim?

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top