Qeveria teknike, një tjetër marrëveshje mes së njëjtës klasë politike? “Zgjidhja” që vjen nga establishmenti …

Nga Redaksia – Avokati Erald Aga ka reaguar kundër tezës së krijimit të një qeverie teknike në Shqipëri, duke ngritur pikëpyetje mbi atë se kush e promovon këtë ide dhe kush do ta përbëjë një qeveri të tillë.

Përmes një reagimi, Aga u drejtohet atyre që e shohin qeverinë teknike si rrugëdalje nga kriza politike, duke u kërkuar të shohin me kujdes fotografinë e publikuar. Sipas tij, një zgjidhje e tillë do të vinte sërish nga e njëjta klasë politike që ka qenë pjesë e sistemit politik shqiptar.

“Ju që zgjidhjen e gjeni tek ‘Qeveria Teknike’, shikojeni dhe fiksojeni mirë këtë foto. Ja kështu do të shërbehet ‘zgjidhja’ përmes ‘Qeverisë Teknike’, nga po të njëjtët njerëz”, shkruan Erald Aga.

Avokati ngre gjithashtu një tjetër çështje, duke vënë në pikëpyetje burimin politik të kësaj teze. Sipas tij, ideja e qeverisë teknike nuk vjen domosdoshmërisht si një kërkesë për ndryshim nga jashtë establishmentit, por promovohet pikërisht nga vetë klasa politike.

“E kuptoni tani kush e hedh si tezë ‘Qeverinë Teknike’? Vetë establishmenti (klasa) politike”, thekson ai.

Në vijim, Aga i referohet edhe kuadrit kushtetues dhe ligjor të Shqipërisë, duke argumentuar se formimi i një qeverie të re nuk mund të bëhet jashtë procedurave parlamentare dhe pa mbështetjen e nevojshme politike në Kuvend.

Sipas tij, qytetarët duhet të kuptojnë se ndryshimi i emrit të qeverisë, nga politike në teknike, nuk garanton automatikisht ndryshimin e njerëzve, të mënyrës së qeverisjes apo të marrëveshjeve politike që qëndrojnë pas saj.

Reagimi i Erald Agës rikthen në vëmendje debatin mbi qeverinë teknike, përgjegjësinë e klasës politike dhe mundësinë e një zgjidhjeje që do të garantonte ndryshim real në mënyrën e drejtimit të vendit.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top