EDITORIAL/Donald Trump dhe sfida e mandatit të dytë: Luftërat, Irani, Venezuela dhe emigracioni, vendimet që po ndajnë Amerikën

Nga Redaksia:

Mandati i dytë i Donald Trump u zhvillua në një nga periudhat më të tensionuara të historisë moderne. Bota ndodhej përballë konflikteve të rrezikshme, lufta Rusi–Ukrainë, përplasjet në Lindjen e Mesme dhe frika e një konflikt të madh ku mund të përfshinte fuqitë botërore.

Në këtë realitet, Trump u përpoqe të impononte një politikë të jashtme të vendosur, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara duhet të mbronin interesat e tyre dhe të mos lejonin që kundërshtarët të kërcënonin sigurinë amerikane dhe atë të aleatëve të saj.

Një nga premtimet kryesore të tij mbetet përfundimi i luftës në Ukrainë, ku Trump ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron t’i japë fund gjakderdhjes mes Rusisë dhe Ukrainës. Megjithatë, arritja e një marrëveshjeje të qëndrueshme mbetet një sfidë e madhe diplomatike dhe gjeopolitike.

Venezuela: Një operacion që ndryshoi ekuilibrat

Një nga momentet më të forta të politikës së jashtme të Trump ishte operacioni amerikan në Venezuelë, më 3 janar 2026, kur forcat amerikane kapën presidentin Nicolás Maduro dhe bashkëshorten e tij, duke i dërguar në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat penale.

Operacioni ushtarak, i realizuar brenda një kohe të shkurtër, përfundoi me largimin e Maduros nga pushteti. Ky zhvillim tregoi se Trump ishte i gatshëm të përdorte edhe forcën ushtarake për të realizuar objektivat e politikës së tij.

Megjithatë, largimi i një udhëheqësi nga pushteti nuk do të thotë automatikisht se vendi ka fituar demokracinë. E ardhmja e Venezuelës do të gjykohet nga mundësia për të ndërtuar institucione demokratike dhe për t’u dhënë qytetarëve të drejtën të zgjedhin lirisht qeverisjen e tyre.

Irani dhe çështja e armëve bërthamore

Një tjetër çështje e madhe është Irani. Sipas këndvështrimit ushtarak, parandalimi i pajisjes së Iranit me armë bërthamore është një domosdoshmëri për sigurinë ndërkombëtare.

Për vite me radhë, administratat e mëparshme amerikane nuk arritën të siguronin një zgjidhje përfundimtare të kësaj çështjeje. Një Iran me armë atomike do të krijonte një realitet të ri dhe shumë të rrezikshëm për Izraelin, Evropën, aleatët amerikanë dhe vetë Shtetet e Bashkuara.

Këtu lind edhe një pyetje e rëndësishme: pse disa shtete mund të zotërojnë armë bërthamore, ndërsa të tjerave u ndalohet zhvillimi i tyre?

Por kjo nuk e ndryshon thelbin e problemit: sa më shumë shtete të pajisen me armë atomike, aq më i madh bëhet rreziku i një katastrofe botërore.

Goditjet amerikano-izraelite ndaj Iranit në shkurt 2026 hapën një kapitull të ri dhe shumë të rrezikshëm. Dhe se ndalimi i programit bërthamor ushtarak iranian ishte një objektiv i drejtë, por çdo veprim ushtarak duhet të vlerësohet edhe për pasojat që sjell për paqen botërore.

Ekonomia dhe politika tregtare

Trump zgjodhi një rrugë të ashpër në tregtinë ndërkombëtare. Vendosja e tarifave ndaj produkteve të huaja synon të mbrojë prodhimin amerikan, të forcojë industrinë vendase dhe të rrisë të ardhurat nga doganat.

Sipas mendimit tim, Amerika ka të drejtë të mbrojë interesat ekonomike të saj. Megjithatë, suksesi i kësaj politike nuk duhet matur vetëm nga të ardhurat doganore, por edhe nga ndikimi që tarifat kanë te konsumatorët, bizneset dhe çmimet brenda vendit.

Emigracioni: Gabimi që mund t’i ketë kushtuar politikisht Trumpit

Megjithëse vlerësoj shumë vendosmërinë e Trumpit në politikën e jashtme dhe në mbrojtjen e interesave amerikane, mendoj se një nga gabimet e tij më të mëdha politike ka qenë mënyra se si është trajtuar çështja e emigracionit.

Nuk mund të mohohet se Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë të mbrojnë kufijtë dhe të zbatojnë ligjet e tyre. Emigracioni i paligjshëm duhet të trajtohet me seriozitet, ndërsa personat që kryejnë krime duhet të përballen me drejtësinë.

Por jo të gjithë emigrantët që kanë ardhur në Amerikë me sakrifica, duke kaluar rrugë të vështira për të arritur në tokën e ëndrrave, janë kriminelë.

Këtu, Trump duhej të kishte bërë një dallim më të madh.

Në vend të një politike që krijon frikë edhe te njerëzit që punojnë, respektojnë ligjet dhe kontribuojnë në shoqërinë amerikane, ai mund të kishte propozuar një program të veçantë për emigrantët që kanë vite në Amerikë, nuk kanë precedentë penalë, punojnë, paguajnë taksat dhe respektojnë rregullat e vendit.

Një program i tillë do të mundësonte që ata të regjistroheshin, të paguanin një tarifë të përcaktuar dhe të përfitonin një rrugë ligjore drejt statusit të rregullt, pas kontrolleve të nevojshme dhe pa amnistim automatik të shkeljeve të ligjit.

Amerika do të përfitonte në disa drejtime:

  • Do të rritej numri i emigrantëve të regjistruar ligjërisht.
  • Shteti do të siguronte të ardhura nga tarifat dhe taksat.
  • Punëtorët do të dilnin nga ekonomia informale.
  • Do të forcohej kontrolli shtetëror mbi emigracionin.
  • Do të shpërbleheshin ata që kontribuojnë dhe respektojnë ligjet.

Në vitin 2026, kur Amerika feston 250-vjetorin e pavarësisë, një reformë e tillë do të kishte qenë një mesazh i fuqishëm për miliona emigrantë që e shohin SHBA-në si tokën e mundësive.

Dhe pikërisht këtu Trump mund të ketë humbur një pjesë të mbështetjes politike. Rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit dhe pakënaqësia e votuesve ndaj politikës së emigracionit janë një sinjal që Shtëpia e Bardhë nuk duhet ta injorojë.

Edhe vetë Trump ka pranuar së fundmi se politika e deportimeve mund të ketë qenë tepër e ashpër, ndonëse vazhdon të mbrojë zbatimin e ligjit.

Trump, trashëgimia e Reaganit dhe historia që do të gjykojë

Donald Trump është një president me stil të fortë, përballës dhe shpesh kontrovers. Ai përfaqëson një traditë të së djathtës amerikane që vendos në qendër interesat kombëtare, sovranitetin, sigurinë dhe fuqinë ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

Por një president nuk gjykohet vetëm nga vendimet e tij ushtarake apo nga përplasjet me kundërshtarët politikë. Ai gjykohet edhe nga aftësia për të bashkuar popullin, për të respektuar institucionet dhe për të krijuar mundësi për qytetarët dhe ata që kontribuojnë në vend.

Mandati i dytë i Trump përfundon në janar 2029, jo në vitin 2019. Deri atëherë, ai ka ende kohë për të dëshmuar se mund të realizojë objektivat e tij.

Përfundimisht, Trump ka bërë disa veprime të guximshme në politikën ndërkombëtare, por ka edhe vendime që meritojnë kritika. Ndalimi i përhapjes së armëve bërthamore, përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe mbrojtja e interesave amerikane janë objektiva të rëndësishëm.

Por Amerika nuk është e madhe vetëm për fuqinë e saj ushtarake. Ajo është e madhe edhe sepse për miliona njerëz në mbarë botën ka qenë dhe mbetet vendi ku mund të ndërtohet një jetë më e mirë.

Emigrantët që punojnë, paguajnë taksat dhe respektojnë ligjin nuk duhen parë si armiq të Amerikës. Ata mund të jenë pjesë e forcës së saj.

Dhe pikërisht këtë ekuilibër duhet të gjejë një president që dëshiron të hyjë në histori.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top