Përplasja për muzeun hebraik në Vlorë, Gezim Zilja: Institucionet kërkojnë rrëzimin e vendimit për pezullimin e punimeve …

Nga Gezim Zilja:

Përplasja ligjore dhe institucionale për ngritjen e muzeut hebraik në Qendrën Historike të Vlorës vijon të marrë përmasa të reja. Avokati i Shtetit, Ardian Hasku, kryetarja e Bashkisë Vlorë, Bruna Mersini, dhe ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe, kanë dalë kundër vendimit të gjyqtarit Embro Ahmetaj, duke kërkuar ndryshimin e tij, rrëzimin e kërkesës për marrjen e masës së sigurimit të padisë dhe ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e muzeut.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar Gezim Zilja, në emër të grupimit qytetar “Mos ma prek Vlorën”, i cili kundërshton projektin dhe kërkon mbrojtjen e trashëgimisë historike të qytetit.

Sipas Ziljes, kundërshtimi nuk ka të bëjë me mohimin e historisë së komuniteteve të tjera, por me ruajtjen e identitetit historik shqiptar të një prej hapësirave më të rëndësishme të Vlorës.

Klubi Labëria, në qendër të debatit

Në reagimin e tij, Zilja thekson se Klubi Labëria ka qenë një vatër e rëndësishme e patriotizmit shqiptar, ku u përgatit terreni politik, diplomatik dhe popullor që çoi drejt shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912.

Ai kujton gjithashtu rëndësinë historike të këtij institucioni dhe të trashëgimisë që lidhet me zhvillimin e arsimit shqip dhe lëvizjen kombëtare.

Ne nuk e kemi flamurin kombëtar origjinal që u ngrit më 1912, dokumentin origjinal me firmëtarët e Pavarësisë dhe as shtëpinë e Vlorajve, ku u ngrit flamuri. Klubi Labëria dhe Muzeu i Pavarësisë në Skelë janë ndër të vetmet trashëgimi që kanë mbetur, ku kanë punuar e luftuar patriotët vlonjatë dhe themeluesi i shtetit modern shqiptar, Ismail Qemali”, shprehet Zilja.

Më poshtë mund të lexoni:

Përse një muze i huaj në zemrën historike të Vlorës?

Një nga pyetjet kryesore që ngre grupimi qytetar lidhet me vendndodhjen e projektit. Sipas tyre, ngritja e një muzeu hebraik në këtë hapësirë duhet të rishikohet, duke marrë në konsideratë rëndësinë kombëtare të historisë së Klubit Labëria.

Zilja u drejtohet publikisht Avokatit të Shtetit, kryetares së Bashkisë Vlorë, ministrit të Kulturës, kryeministrit dhe drejtuesve të institucioneve akademike, duke kërkuar që interesat e trashëgimisë kombëtare të mos mbeten në plan të dytë.

Ai kërkon gjithashtu që, nëse institucionet nuk marrin parasysh kundërshtimet e qytetarëve, çështja të hidhet në referendum popullor.

“Shqipëria nuk është pronë e kryeministrit dhe e individëve që drejtojnë institucionet. Nëse i shërbeni shtetit, duhet të mbroni historinë dhe trashëgiminë e tij”, është mesazhi që përcjell Zilja.

1.034 firma kundër projektit, sipas grupimit qytetar

Një tjetër argument i paraqitur nga grupimi “Mos ma prek Vlorën” është peticioni kundër ngritjes së muzeut në Qendrën Historike.

Sipas Gezim Ziljes, deri më tani janë mbledhur 1.034 firma nga qytetarë vlonjatë, ndërsa pretendon se qindra mijëra shqiptarë kanë shprehur mbështetjen e tyre për kundërshtimin e projektit.

Në reagimin e tij, ai u drejtohet edhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak, duke i ftuar të bëjnë publike qëndrimet e tyre për vendimin që kanë miratuar në lidhje me projektin.

E drejta dhe e vërteta mund të zhytet, por kurrë nuk mbytet!

Në përfundim të reagimit, Zilja thekson se grupimi qytetar do të vijojë betejën ligjore dhe publike për mbrojtjen e asaj që e konsideron trashëgimi të paprekshme të historisë shqiptare.

Përplasja tashmë është zhvendosur përtej një projekti muzeal, duke u kthyer në një debat të gjerë mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore, vendimmarrjen institucionale dhe të drejtën e qytetarëve për t’u dëgjuar.

Grupimi “Mos ma prek Vlorën” deklaron se nuk do të tërhiqet nga kundërshtimi i projektit dhe se do të vazhdojë betejën përmes rrugëve ligjore dhe qytetare.

E drejta, e vërteta mund të zhytet, por kurrë nuk mbytet! Ne do fitojmë!, përfundon Gezim Zilja.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top