ANALIZA: Kush i votoi marrëveshjet politike në kurriz të popullit? PD-ja që pretendon 500 mijë vota, por pranon kritika vetëm nga 60 mijë anëtarët!
Nga avokati Erald Aga:
Më thoni pak: këto marrëveshje politike, të cilat janë bërë në kurriz të popullit dhe në dëm të demokracisë, kush i votoi? Populli protestues, që sot kërkon ndryshim, apo këta që prej 13 vitesh e konsiderojnë veten opozitarë të përjetshëm brenda PD-së?
Nga njëra anë deklarojnë se kanë 500 mijë vota dhe përfaqësojnë një masë të madhe qytetarësh, ndërsa nga ana tjetër thonë se kritikat duhet t’i pranojnë vetëm nga anëtarët e tyre, që sipas tyre janë rreth 60 mijë.
Po 440 mijë votuesit e tjerë ku janë në këtë histori? A kanë të drejtë të flasin, të kërkojnë llogari dhe të kritikojnë vendimmarrjet politike?
Historia politike e Shqipërisë tregon se marrëveshjet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike nuk janë një fenomen i ri. Përkundrazi, ato kanë shoqëruar periudha të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar.
Mjafton të kujtojmë disa prej tyre:
21 prill 2008 – Ndryshimet kushtetuese
Ndryshimet kushtetuese u miratuan me 115 vota pro dhe 17 kundër, përmes bashkëpunimit parlamentar të PD-së në qeveri dhe PS-së në opozitë. Ndryshimet prekën sistemin zgjedhor, mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe mandatin e qeverisjes vendore.
2011 – Marrëveshjet politike pas krizës së 21 janarit
Pas protestave dhe krizës së rëndë politike, PD-ja dhe PS-ja zhvilluan negociata dhe arritën marrëveshje për çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve dhe proceset zgjedhore.
22 dhjetor 2011 – Zgjedhja e Avokatit të Popullit
Kuvendi zgjodhi Avokatin e Popullit me 127 vota pro, në kuadër të një procesi që mori mbështetje të gjerë parlamentare.
2013 – Ligji për mediat audiovizive
Edhe në këtë periudhë pati bashkëpunim parlamentar për miratimin e kuadrit ligjor që rregullon sektorin e mediave audiovizive.
2016 – Reforma në drejtësi dhe Vetting-u
Reforma në drejtësi u miratua me konsensus unanim në Kuvend. Një ndër ndryshimet më të rëndësishme ishte procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
18 maj 2017 – Marrëveshja PS-PD
Në kulmin e krizës politike, dy partitë arritën një marrëveshje që i dha PD-së pjesëmarrje në qeverinë teknike, me poste ministrore, zëvendëskryeministrin dhe përfaqësim në institucione të rëndësishme.
5 qershor 2020 – Marrëveshja për reformën zgjedhore
PS-ja dhe PD-ja nënshkruan marrëveshjen me 12 pika, pas negociatave ku rol të rëndësishëm patën edhe SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
11 dhjetor 2025 – Zgjedhja e Endri Shabanit Avokat i Popullit
Zgjedhja e Endri Shabanit, i propozuar me firmat e deputetëve të PD-së, u bë një tjetër çështje që ngriti pikëpyetje dhe debat mbi mënyrën e funksionimit të marrëdhënieve politike dhe institucionale.
Dhe sot, çfarë na thuhet?
Sot, kur qytetarët kërkojnë llogari, kur demokratët kërkojnë transparencë dhe kur një pjesë e opozitës kërkon ndryshim të mënyrës së drejtimit, kritika konsiderohet problem.
Por opozita nuk është pronë private e askujt. Votat nuk janë pronë e një grupi drejtuesish dhe anëtarësia nuk mund të përdoret si argument për të mbyllur gojën e qytetarëve që kanë mbështetur opozitën.
Nuk mund të kërkosh votën e 500 mijë shqiptarëve dhe më pas t’u thuash se të drejtën për të folur e kanë vetëm 60 mijë anëtarë.
Demokracia nuk funksionon me pronësi, as me heshtje të imponuar. Ajo kërkon llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjësi për çdo marrëveshje që ndikon në të ardhmen e vendit.
Hajt se edhe ju, ju erdhi fundi!
© Copyright of PatriotikMedia.al


