ANALIZA/Pseudo-patriotët, hipokrizia dhe zërat e së vërtetës: Kush po mbron Shqipërinë dhe kush po përpiqet të heshtë qytetarët?

Nga Arben Gjinokastrit:

Nuk i kemi parë ende të gjithë spiunët e diktaturës, të cilët sot vetëmburren si njerëz të “suksesshëm” dhe guxojnë të tallen publikisht me Shqipërinë dhe shqiptarët. Por sapo ekspozohen dhe vihen përballë fakteve e qëndrimeve të tyre, reagimi është gjithmonë i njëjtë: sulme personale, gjuhë rrugaçërore dhe pyetja ironike: “Pse themi?!”

Ndërkohë, ata që vetëshpallen revolucionarë, demokratë dhe përfaqësues të ndryshimit, por që veprojnë në një realitet ku fondet dhe interesat luajnë një rol të rëndësishëm në organizimin e zhurmës sociale, janë pikërisht ata që përpiqen të mohojnë zërat e qytetarëve që prej 36 vitesh kanë protestuar dhe kanë kërkuar një Shqipëri ndryshe.

Shqiptari i ndershëm nuk mund të mohojë 36 vite protestë dhe përpjekje për demokraci!

Nuk mund të fshish historinë e një qytetari vetëm sepse nuk të pëlqen mënyra se si mendon, shkruan apo proteston. Nuk mund të shpallesh patriot duke mohuar kontributin e të tjerëve dhe duke u sjellë sikur e vërteta fillon me ty.

Patriotizmi nuk është një etiketë që ia vendos vetes për të fituar vëmendje. Ai kërkon ndershmëri, çiltërsi, dinjitet njerëzor dhe përgjegjësi shoqërore. Kush nuk i njeh këto vlera, pavarësisht flamujve që mban dhe parullave që përdor, mbetet vetëm një pseudo-patriot.

Hipokrizia, arma e pseudo-intelektualëve

Hipokrizia është tipari kryesor i pseudo-njeriut që vishet me petkun e pseudo-patriotit, pseudo-socialistit, pseudo-shkencëtarit, pseudo-akademikut, pseudo-intelektualit dhe pseudo-demokratit.

Për çdo koncept të mirëfilltë shoqëror shfaqen njerëz që marrin përsipër ta përfaqësojnë, por në vend që të ndërtojnë mendim dhe debat, investohen në zhurmë, përçarje dhe sulme personale.

Në vend të argumentit përdorin etiketimin. Në vend të transparencës, fshehin interesat. Në vend të debatit publik, përpiqen të delegjitimojnë këdo që nuk i bindet linjës së tyre.

Kjo është mënyra se si mbulohet e vërteta dhe si pengohet qytetari të kuptojë mekanizmat që e mbajnë të lidhur pas një sistemi që i mohon dinjitetin dhe të ardhmen.

Edhe demokracitë që për dekada u paraqitën si modele të pakontestueshme në Perëndim po përballen gjithnjë e më shumë me pikëpyetje mbi ndikimin e oligarkisë, përqendrimin e pushtetit ekonomik dhe deformimin e përfaqësimit qytetar.

Sulmojnë personin sepse nuk kanë përgjigje për mendimin!

Ka një sjellje që i ekspozon më shumë se çdo deklaratë tjetër: ata që nuk pranojnë t’i bashkohen zërit të së vërtetës, por as nuk kanë guximin të përballen hapur me argumentet.

Hedhin gurin dhe fshehin dorën. Ndryshojnë qëndrim sa herë përballen me një mendim konstruktiv. Sulmojnë personin në vend që të diskutojnë idenë. Shmangin thelbin dhe përpiqen ta kthejnë çdo debat në konflikt personal.

Por pikërisht këtu zbulohet karakteri i tyre.

Kush ka argumente, i paraqet. Kush ka fakte, i publikon. Kush ka bindje, i mbron me dinjitet. Ndërsa ai që zgjedh përherë sulmin personal, përçmimin dhe manipulimin, dëshmon se nuk është i gatshëm për një debat të ndershëm.

Shqipëria nuk ka nevojë për pseudo-patriotë që bëjnë zhurmë, por për njerëz që kanë guximin të mbrojnë të vërtetën edhe kur ajo nuk u shërben interesave të tyre.

Sepse patriotizmi nuk matet me parulla, as demokracia me financime dhe as intelektualizmi me tituj e vetëshpallje.

Ato maten me ndershmëri, qëndrueshmëri, dinjitet dhe, mbi të gjitha, me guximin për të mos tradhtuar të vërtetën!

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top