Rilindja, nona e telenovelave politike! Kur Balluku, Veliaj dhe Rama bëhen protagonistë të spektaklit të radhës

Nga Redi Minga:

Nga kutia e kuqe me mijëra euro te letrat dramatike nga burgu i Fierit: Rilindja duket se ka gjetur një mënyrë të veçantë për të mbajtur shqiptarët të mbërthyer pas serialit të saj politik. Ndërsa qytetarët përballen me hallet e përditshme, pushteti prodhon episode të reja të luftës së brendshme për mbijetesë.

Në Shqipëri nuk kemi nevojë të presim sezonin e ri të ndonjë seriali televiziv. E kemi gati! Quhet Rilindja dhe skenarin e shkruajnë vetë protagonistët e saj. Çdo ditë një episod i ri, çdo javë një skandal i ri dhe, kur një histori fillon të humbasë vëmendjen, menjëherë del një tjetër në skenë.

Rilindja është bërë nona e prodhimit të ngjarjeve politike për të shpërqendruar shqiptarët. Një ditë kemi kuti me euro, ditën tjetër letra nga burgu, pastaj akuza, kundërakuza, sherre familjare politike dhe deklarata që ngjajnë më shumë me dialogët e një telenovele sesa me komunikimin e një shteti që duhet të merret me hallet e qytetarëve.

Episodi i parë: Kutia e kuqe e Ballukut dhe misteri i mijëra eurove

Sapo mediat shqiptare shpërndanë lajmin për një fotografi të një kutie të kuqe të mbushur me kartëmonedha 50-euroshe, ku sipas dosjes së SPAK dyshohet se lidhet me vilën në kompleksin turistik “White Rocks” në Dhërmi, publiku u përfshi në një tjetër histori që ka të gjithë elementët e një seriali politik.

Në qendër të saj është Belinda Balluku, ish-zëvendëskryeministrja, një vilë që në dokumente rezulton në emër të ish-futbollistit Igli Tare dhe dyshimet e SPAK për pronësinë dhe përdorimin faktik të saj.

Fotografia, komunikimet telefonike, udhëtimet drejt vilës dhe referencat për “vilën e shefes” janë pjesë e materialeve hetimore të Prokurorisë së Posaçme.

Një histori me kuti të kuqe, euro, vila luksoze dhe protagonistë të pushtetit. Sikur të mos mjaftonte skandali politik, tani publikut i serviret edhe fotografia që duket sikur është shkëputur nga një film.

Episodi i dytë: Erion Veliaj, letra nga burgu dhe sfida për Ramën

Por, kur historia e Ballukut filloi të pushtonte titujt, në skenë doli një tjetër protagonist i madh i Rilindjes: Erion Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës, nga qelia e burgut të Fierit, publikoi një reagim të ashpër kundër Edi Ramës, duke e akuzuar kryeministrin për ndërhyrje në transferimin dhe izolimin e tij.

Veliaj deklaron se ka më shumë dinjitet se Rama dhe e sfidon këtë të fundit të paraqesë qoftë edhe një provë të vetme për pretendimet se ai ka organizuar apo financuar protestat studentore.

Por pjesa më interesante e kësaj telenovele është letra që Veliaj thotë se ka shkruar me dorën e tij, ku përshkruan tri kërkesa që, sipas pretendimeve të tij, i janë përcjellë përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Të pranonte përfshirjen në çështjen e quajtur “Flamingot” dhe protestat studentore, përndryshe do t’i shtoheshin akuza të tjera.

Të hiqte dorë nga Bashkia e Tiranës dhe ta delegonte atë te Arbër Hajdari.

Të mos këshillohej më me Plarent Ndrecën.

Veliaj pretendon gjithashtu se transferimi i tij në burgun e Fierit dhe kushtet e izolimit janë bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të kryeministrit.

Këto janë akuza të rënda të bëra nga vetë Veliaj, të cilat kërkojnë përgjigje nga personat e përmendur.

Dhe këtu lind pyetja: Çfarë po ndodh brenda familjes politike që për vite me radhë i ka shitur shqiptarëve imazhin e unitetit dhe të suksesit?

Rilindja kundër Rilindjes: Kush po e ha kë?

Dikur ishin një skuadër. Rama dhe Veliaj ndanin skenën politike, pushtetin dhe propagandën. Balluku ishte një nga figurat më të fuqishme të qeverisë. Të gjithë pjesë e së njëjtës makineri politike.

Sot kemi një kryeministër që përballet me akuza nga ish-bashkëpunëtori i tij, një ish-zëvendëskryeministre nën hetim dhe një kryeqytet që vazhdon të jetë në qendër të betejave politike.

Ironia është se këta protagonistë nuk janë kundërshtarë që erdhën nga kampe të ndryshme politike. Janë njerëz të së njëjtës Rilindje, të rritur dhe promovuar brenda të njëjtit sistem pushteti.

Dhe tani, kur përplasjet dalin në sipërfaqe, shqiptarët duhet të ndjekin çdo ditë episodin e radhës: kush tradhtoi kë, kush urdhëroi kë, kush kërkon të shpëtojë veten dhe kush po përpiqet të mbajë pushtetin.

Ndërsa Rilindja merret me kutitë e euros, vilat, burgjet, letrat dhe luftërat e brendshme, qytetarët kanë halle krejt të tjera.

Çmimet, varfëria, emigracioni, papunësia, mungesa e drejtësisë dhe largimi i të rinjve vazhdojnë të jenë realiteti i përditshëm.

Por për këto nuk ka aq shumë episode televizive. Për këto nuk ka letra dramatike nga qelitë dhe as përplasje publike mes ish-aleatëve.

Prandaj pyetja që shtrohet është shumë më e madhe se një kuti e kuqe apo një letër nga burgu i Fierit:

A do të vazhdojnë shqiptarët të merren me hallet e Rilindjes dhe me klyshet politike që vetë Rama i rriti, apo do të merren më në fund me hallet e tyre dhe me përgjegjësit që i sollën vendin në këtë gjendje?

Sepse Rilindja mund të prodhojë sa të dojë telenovela, por Shqipëria nuk është pronë e kastit të saj politik dhe shqiptarët nuk janë spektatorë të përjetshëm të këtij seriali.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top