DOKUMENTI: Myrto Security, e përfshirë në dhunën ndaj qytetarëve në Zvërnec, shpërblehet me një tender prej 2 milionë eurosh!

Nga Redaksia – Policia e Shtetit njoftoi heqjen e licencës së kompanisë pas ngjarjeve të rënda të 30 majit 2026, kur një qytetar u tërhoq zvarrë për më shumë se 100 metra gjatë protestës në Zvërnec. Por vetëm pak muaj më vonë, Myrto Security shfaqet në një bashkim operatorësh të shpallur fitues në një tender të OSSH-së, me fond limit rreth 2 milionë euro. Si arriti kompania të kualifikohej me licencën 1.3 A, e cila i ishte hequr nga Policia e Shtetit?

Një tjetër rast që ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si funksionojnë procedurat e tenderimit dhe kontrolli i kompanive që përfitojnë para publike në Shqipëri.

Kompania private e sigurisë “Myrto Security”, e përfshirë në episodet e dhunshme ndaj qytetarëve në Zvërnec, rezulton pjesë e bashkimit të operatorëve “Juer Security” dhe “Myrto Security”, i cili është shpallur fitues në një procedurë tenderimi të zhvilluar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), në Elbasan.

Kontrata ka për objekt shërbimin e sigurisë për ruajtjen fizike të ndërtesave, aseteve, njerëzve dhe pronave të OSSH-së, Drejtorisë Rajonale Elbasan dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal.

Fondi limit i procedurës, e shpallur në gusht 2026, ishte 184.735.036 lekë të reja, ose rreth 1.99 milionë euro.

Pra, një kompani që vetëm pak muaj më parë ishte në qendër të një skandali të rëndë në Zvërnec, sot shfaqet si përfituese e një kontrate me vlerë miliona euro nga një institucion publik.

Nga heqja e licencës në Zvërnec te kontrata miliona euro

Rasti bëhet edhe më problematik kur rikthehemi te ngjarjet e 30 majit 2026 në Zvërnec.

Atë ditë, banorë të zonës dhe qytetarë nga Vlora protestuan kundër projektit turistik në Portonovo, ku përfshihen edhe interesat e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.

Protestuesit kundërshtonin kufizimin e aksesit në bregdet dhe ngrinin pikëpyetje mbi pronësinë e truallit ku parashikohet ndërtimi i resortit.

Në zonën e rrethuar me tela ishin vendosur punonjësit e kompanive private të sigurisë “Major Security” dhe “Myrto Security”, të kontraktuara nga sipërmarrësi i projektit.

Përplasja mori përmasa të rënda kur qytetari Eduard Subashi u godit dhe u tërhoq me forcë drejt pjesës së brendshme të rrethimit, duke u zvarritur për një distancë të gjatë. Ngjarja shkaktoi reagim të fortë publik dhe u kthye në një nga momentet që nxitën protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove”.

Më 1 qershor 2026, Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht heqjen e licencave për të dyja kompanitë.

Në njoftimin e saj, Policia evidentonte shkelje konkrete nga ana e “Myrto Security 1.3A”.

Sipas hetimit administrativ, kompania nuk kishte marrë masat e nevojshme për sigurinë e objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për kontrollin e hyrjes dhe daljes së personave dhe automjeteve. Gjithashtu, nuk administronte listën e personave dhe mjeteve të autorizuara për të hyrë në territorin e rrethuar.

Policia konstatonte se në objekt kishin hyrë persona të paidentifikuar, të cilët gjatë protestës kishin goditur dhe tërhequr me forcë një qytetar, duke i shkaktuar dëmtime trupore.

Më shqetësues është fakti se, sipas njoftimit zyrtar, punonjësit e “Myrto Security” nuk kishin ndërmarrë veprime parandaluese për të ndaluar dhunën apo për të larguar personat e përfshirë në të.

Mbi bazën e këtyre konstatimeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit firmosi vendimin për heqjen e licencës 1.3 A.

Si u rikthye licenca dhe si u hap rruga drejt tenderit?

Pavarësisht vendimit të Policisë së Shtetit, “Myrto Security” arriti të siguronte një vendim gjyqësor për sigurimin e padisë në Gjykatën Administrative.

Sipas burimeve të cituara nga Ministria e Infrastrukturës, ky vendim ka pezulluar efektet e vendimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për heqjen e licencës. Kjo do të thotë se kompania ka mundur të vijojë të figurojë me licencën 1.3 A aktive, ndërkohë që çështja gjyqësore mbetet për t’u zgjidhur.

Këtu lind një tjetër pyetje thelbësore: A është verifikuar nga autoriteti kontraktor jo vetëm ekzistenca formale e licencës, por edhe situata ligjore e kompanisë dhe vendimi gjyqësor që pezulloi heqjen e saj?

Dokumentet e tenderit e përcaktonin licencën 1.3 A si një nga kriteret kryesore të kualifikimit. Pikërisht kjo licencë është baza ligjore për ushtrimin e aktivitetit të sigurisë fizike.

Procedura mban numrin e referencës REF-97560-08-26-2026, ndërsa tenderi u zhvillua më 28 shtator 2026. Sipas të dhënave të publikuara, në garë morën pjesë dy operatorë.

Miliona euro nga paratë publike, ndërsa përgjegjësitë në Zvërnec mbeten për t’u sqaruar

Rasti i “Myrto Security” nuk është thjesht një procedurë tenderimi. Ai ngre pikëpyetje mbi standardet që zbatohen për kompanitë private që marrin përsipër sigurinë e institucioneve dhe pronës publike.

Si mundet që një kompani, së cilës Policia e Shtetit i hoqi licencën pas shkeljeve të konstatuara në një ngjarje ku një qytetar u dhunua, të rikthehet në garën për miliona euro nga fondet publike?

A janë kontrolluar me rigorozitet dokumentet e saj? A është shqyrtuar vendimi gjyqësor për sigurimin e padisë? A ka verifikuar OSSH nëse kompania i përmbushte të gjitha kriteret ligjore përpara shpalljes fituese?

Dhe mbi të gjitha, a do të ketë një hetim institucional për të sqaruar përgjegjësitë?

Paratë publike nuk janë pronë e drejtuesve të institucioneve dhe as një shpërblim për kompanitë që përfshihen në skandale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se kujt po i besohen miliona euro nga buxheti i institucioneve shtetërore.

Nga Zvërneci te Elbasani, historia e “Myrto Security” kërkon transparencë të plotë.

PatriotikMedia.al kërkon që OSSH, Ministria e Infrastrukturës dhe Policia e Shtetit të bëjnë publike të gjitha dokumentet dhe verifikimet që çuan në kualifikimin e këtij bashkimi operatorësh.

Sepse një vendim gjykate që pezullon heqjen e licencës mund të krijojë bazën ligjore për vijimin e aktivitetit, por nuk i heq institucionet nga detyrimi për të garantuar transparencën dhe ligjshmërinë e përdorimit të parave publike. /Boldnews.al

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top