Çfarë do t’u ofrojë ambasadori amerikan shqiptarëve? Pritshmëritë janë të mëdha, por shqiptarët duhet të presin më shumë se spektaklin …
Nga Redi Minga:
Me mbërritjen në Tiranë të ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara, Eric Wendt, pritshmëritë e shqiptarëve janë të mëdha.
Dhe kjo është e kuptueshme.
Wendt vjen në Shqipëri pas një karriere më shumë se 34-vjeçare në ushtrinë amerikane, me eksperiencë në struktura të larta të sigurisë dhe të NATO-s. Ai ka shërbyer edhe si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s dhe ka pasur role të rëndësishme në fushën e sigurisë ndërkombëtare. Më 26 shtator 2026 ai paraqiti letrat kredenciale te Presidenti Bajram Begaj, duke nisur zyrtarisht detyrën e tij në Tiranë.
Por shqiptarët duhet të bëjnë një pyetje shumë më të thjeshtë:
Çfarë do t’u sjellë realisht shqiptarëve ambasadori i ri amerikan?
Sepse populli i thjeshtë nuk ka nevojë për fotografi, ceremoni dhe fjalime diplomatike. Shqiptari i zakonshëm kërkon drejtësi, siguri, ekonomi, punë dhe një shtet ku ligji të mos jetë i fortë me të dobëtin dhe i dobët me të fortin.
Vetë Wendt, gjatë procesit të konfirmimit në Senatin amerikan, ka paraqitur disa prej prioriteteve të mandatit të tij: luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje e siguri dhe krijimin e kushteve më të drejta për bizneset amerikane. Janë objektiva që prekin drejtpërdrejt disa prej problemeve më të mëdha të Shqipërisë.
Por këtu fillon edhe pjesa tjetër e historisë.
Ambasadori i SHBA-së nuk vjen në Shqipëri si shpëtimtar i shqiptarëve.
Ai përfaqëson Shtetet e Bashkuara dhe interesat e politikës amerikane në Shqipëri. Kjo është e natyrshme dhe kështu funksionon diplomacia.
Prandaj, gjatësia e shtatit, uniforma, dekoratat dhe një karrierë e gjatë ushtarake nuk janë të mjaftueshme që shqiptarët të besojnë se “erdhi inglizi” dhe tani ne vetëm duhet të bëjmë sehir.
Këtë e kemi bërë shpesh gjatë historisë.
Kemi pritur të tjerët të zgjidhin problemet tona, ndërkohë që problemet kanë mbetur këtu.
Edhe këtë herë pritshmëritë janë të mëdha pikërisht sepse situata politike, institucionale dhe sociale në Shqipëri ka prodhuar një lodhje të madhe te qytetarët.
Por shpresa dhe zhgënjimi shpesh ecin së bashku.
Nëse ambasadori i ri amerikan do të flasë për korrupsionin, shqiptarët do të duan të shohin se ku do të ndalet ky korrupsion.
Nëse do të flasë për krimin e organizuar, shqiptarët do të duan të dinë nëse lufta kundër tij do të jetë e njëjtë për të gjithë.
Nëse do të flasë për investimet amerikane, shqiptarët do të duan të dinë nëse do të krijohet një klimë ku biznesi i ndershëm të mos ketë nevojë për lidhje politike.
Dhe nëse do të flasë për forcimin e institucioneve, pyetja kryesore do të jetë nëse ligji do të zbatohet njësoj për pushtetin, opozitën, biznesin dhe qytetarin e zakonshëm.
Sepse shqiptarët nuk kanë më nevojë për figura që duken të forta.
Kanë nevojë për rezultate.
Dhe këtu duhet të jemi realistë.
“Partia” nuk pret askënd duarkryq.
Në çdo sistem politik, njerëzit dhe strukturat e pushtetit kërkojnë të kuptojnë dobësitë e kundërshtarit, interesat e tij dhe mënyrën se si mund të ndikojnë mbi të.
Dikush ka pikë të dobët paranë, dikush pushtetin, dikush ambicien, dikush lajkatimet, dikush marrëdhëniet personale.
Prandaj edhe një ambasador me një CV të jashtëzakonshme nuk hyn në një terren bosh.
Ai hyn në një Shqipëri ku politika ka eksperiencë të gjatë në diplomaci, në marrëdhënie me ndërkombëtarët dhe në menaxhimin e imazhit të pushtetit.
Kjo do të jetë një nga sfidat më të mëdha të mandatit të tij.
Shqiptarët mund ta mirëpresin ambasadorin amerikan, mund të shpresojnë tek ai dhe mund të kërkojnë prej tij që të shohë realitetin shqiptar përtej protokollit diplomatik.
Por nuk duhet të harrojnë një gjë:
Shqipëria është e shqiptarëve dhe përgjegjësia për të ndryshuar vendin nuk mund t’i delegohet një ambasadori, sado i fuqishëm të jetë shteti që ai përfaqëson.
Eric Wendt ka ardhur.
Tani mbetet të shohim se çfarë do të bëjë.
Dhe mbi të gjitha, çfarë do të bëjnë shqiptarët.
Uroj të mos zhgënjehemi?
© Copyright of PatriotikMedia.al


