Nga Redaksia – Në rrjetet sociale ka reaguar Gjergji Thanasi, i cili ka ironizuar strukturat e Antiterrorit pas precedentit të krijuar nga Prokuroria në lidhje me deklaratat e avokatit Altin Goxhaj.
Në reagimin e tij, Thanasi deklaron se, pas këtij precedenti, merr guximin të përsërisë me shkrim një deklaratë të ngjashme me atë që, sipas tij, ka bërë më herët avokati Altin Goxhaj.
“Mbasi këtij precedenti të vendosur nga Prokuroria, unë Gjergji Thanasi marr guximin të deklaroj se kryeministri Edvin Rama do përfundojë si Gadafi. Edvini do të tërhiqet zvarrë si Gadafi”, shkruan Thanasi.
Më poshtë mund të lexoni:
Më tej, në një gjuhë të fortë dhe ironike, ai i drejtohet kryeministrit Rama duke iu referuar fatit të ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi.
“Edvin, merr limën dhe lëmoje thepin e pistoletës, që mos vuash si Gadafi në vaktit”, vijon ai.
Por pjesa më e drejtpërdrejtë e reagimit i drejtohet Antiterrorit, të cilin Thanasi e sfidon publikisht që të ndërmarrë të njëjtin veprim ligjor ndaj tij.
“Shokë të Antiterrorit, ju lutem publikisht të më padisni, sepse unë po përsëris me shkrim fiks atë që ka thënë avokati Altin Goxhaj. Ju lutem më padisni penalisht njëlloj si avokatin Goxhaj”, shkruan Thanasi, duke e shoqëruar reagimin edhe me emoji ironizuese.
Me këtë reagim, Thanasi e kthen në qendër të debatit çështjen e standardit që po përdoret nga organet ligjzbatuese ndaj deklaratave të bëra publikisht, duke kërkuar që ndaj tij të zbatohet i njëjti standard që, sipas tij, është përdorur ndaj avokatit Altin Goxhaj.

Deklarata e tij vjen në një klimë debati mbi kufijtë mes deklaratave publike, kritikës politike, ironisë dhe përgjegjësisë ligjore për përmbajtjen e tyre.
© Copyright of PatriotikMedia.al

