Nga Redaksia – Në kufi me Ranën e Hedhun dhe në skajin jugor të bregdetit të Velipojës, Baks Bay është konceptuar si një qytezë moderne buzë detit, e projektuar për të kombinuar arkitekturën bashkëkohore, turizmin dhe natyrën e zonës. Projekti synon të krijojë një destinacion të ri për të jetuar, pushuar dhe investuar, duke u prezantuar si një zhvillim turistik me standarde ndërkombëtare.
Por pas këtij projekti ambicioz fshihet një përplasje e fortë ligjore me banorët e Baks-Rrjollit, të cilët pretendojnë se në territorin e tyre të trashëguar janë kryer shkelje në dokumentacionin e pronësisë dhe në procedurat që lidhen me zhvillimin e zonës.
Pas muajsh protestash, denoncimesh dhe përplasjesh publike, çështja ka kaluar tashmë në një fazë të re. Banorët, përmes përfaqësueses së tyre Luçiana Koka, njoftojnë se GJKKO ka pranuar ankimin e tyre ndaj vendimit të SPAK-ut për mosfillimin e hetimeve.
Sipas banorëve, vendimi i gjyqtares Flojera Davidhi i hap rrugë regjistrimit të procedimit penal dhe hetimit të pretendimeve të ngritura në kallëzim.
Në qendër të kallëzimit janë pretendime për parregullsi në dokumentacionin e pronësisë, përfshirë akuza për falsifikim dokumentesh, si dhe pretendime lidhur me ligjshmërinë e ndërtimit dhe procedurave të ndjekura për projektin “Baks Bay”.
Banorët kërkojnë që hetimi të përfshijë çdo dokument, firmë, leje dhe procedurë mbi të cilën është mbështetur zhvillimi i projektit, ndërsa tashmë pritet që organi i akuzës të verifikojë pretendimet dhe provat e paraqitura.
Kështu, projekti i prezantuar si një qytezë moderne turistike buzë Adriatikut përballet tashmë me një betejë ligjore, ndërsa çështja e pronësisë së tokave të Baks-Rrjollit hyn në një fazë të re përballë drejtësisë.
© Copyright of PatriotikMedia.al

