Avokati Goxhaj: Prokuroria rrëzon kallëzimin e Antiterrorit – “Frika po vdes”…

Deklaratë për shtyp nga avokati Altin Goxhaj

Avokati Altin Goxhaj deklaron se vendimi i Prokurorisë së Tiranës për mosfillimin e procedimit penal ndaj tij, pas kallëzimit të Antiterrorit, përbën një moment me rëndësi për kufirin mes gjuhës së fortë politike dhe veprës penale, si dhe mes protestës dhe kriminalizimit të saj.

“Prokuroria e Tiranës refuzon fillimin e procedimit penal të Altin Goxhaj sipas kallëzimit të Antiterrorit për nenet e rrëzimit me dhunë të rendit kushtetues”, thuhet në deklaratën e tij.

Sipas Goxhajt, vendimi i Prokurorisë ka një rëndësi që shkon përtej çështjes së tij personale.

“Vendimi i Prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal ndaj meje ka një rëndësi që shkon përtej çështjes sime personale. Ai përcakton, në këtë rast konkret, kufirin mes gjuhës së fortë politike dhe veprës penale, mes protestës dhe kriminalizimit të protestës.

Dhe pikërisht këtë kufi kërkova ta provoja dhe provokova në emër të gjithë protestuesve”, shprehet ai.

Goxhaj i referohet deklaratave të tij publike, ku kishte thënë: “Rama përfundon si Gadafi” dhe “në 2 korrik e tërheqim zvarrë si Gadafin”.

“Kur deklarova publikisht ‘Rama përfundon si Gadafi’ dhe ‘në 2 korrik e tërheqim zvarrë si Gadafin’, përdora qëllimisht një formulim ekstrem politik për të provokuar një reagim institucional dhe për ta detyruar sistemin të përballej me pyetjen: deri ku mund të shkojë fjala politike pa u shndërruar artificialisht në çështje penale? Si dhe për ta lënë Ramën pa gjumë”, shkruan Goxhaj.

Sipas tij, pas referimit nga Antiterrori, ai e ktheu situatën në një përballje publike me sistemin.

“Rama ndërseu Antiterrorin. Unë e ktheva në parodi publike marrjen në pyetje duke e tallur sistemin në rrënjë e degë! Shërbëtorët e Ramës më çuan në Prokurori ku kërkonin burg.

Dhe përgjigjja e Prokurorisë është tashmë e shkruar e zezë mbi të bardhë.”

Goxhaj citon edhe arsyetimin e Prokurorisë, sipas të cilit, megjithëse shprehja “e tërheqim zvarrë si Gadafin” ka “natyrë të dhunshme në kuptimin literal”, nga materiali nuk rezulton plan konkret dhune, armatosje, objektiva për t’u sulmuar apo veprime konkrete kundër rendit kushtetues.

Në deklaratë citohet gjithashtu një tjetër pjesë e vendimit:

«“E drejta penale nuk mund të zëvendësojë debatin politik dhe nuk mund të përdoret si instrument për të përcaktuar se cilat opinione politike janë të pranueshme.”»

“Kjo është fitorja”, shprehet Goxhaj.

Ai thekson se vendimi nuk u jep qytetarëve një leje të përgjithshme për çdo formulim apo kërcënim, pasi çdo rast juridik vlerësohet sipas përmbajtjes, qëllimit dhe kontekstit të vet. Por, sipas tij, ky rast demonstron se një metaforë e rëndë politike nuk mund të kriminalizohet automatikisht.

“Ky ishte edhe qëllimi politik i provokimit tim: të sfidoja frikën.

Pas më shumë se 115 ditësh protestë, beteja nuk ishte vetëm në shesh. Ishte edhe beteja psikologjike për të çliruar qytetarin nga mendimi: ‘Po fola fort kundër Ramës, do të më marrë Antiterrori.’

Sot kemi një përgjigje konkrete institucionale ndaj kësaj frike.

Antiterrori më referoi. Prokuroria e shqyrtoi materialin. Procedimi penal nuk filloi.

Më tej, Goxhaj u drejtohet qytetarëve me një mesazh të drejtpërdrejtë:

“Mos kini frikë të kritikoni pushtetin.
Mos kini frikë të protestoni.
Mos kini frikë nga gjuha e fortë politike.”

Për të, fitorja më e madhe e protestës mbi njëqindditore është thyerja e asaj që e quan “mekanizmi i frikës”.

“Edi Rama vazhdon të jetë Kryeministër. Policia dhe Antiterrori vazhdojnë të kenë kompetencat që u jep ligji. Por as Kryeministri, as Policia dhe as Antiterrori nuk mund ta zëvendësojnë ligjin dhe nuk mund ta kthejnë automatikisht kundërshtarin politik në autor të një vepre penale.

Sot këtë nuk e them vetëm unë.

E thotë një vendim i Prokurorisë.”

Në përfundim, Goxhaj e cilëson këtë si precedentin politik që, sipas tij, synonte të krijonte përmes kësaj përballjeje:

“FRIKA PO VDES.”

“Sepse pushteti i frikës funksionon vetëm deri në ditën kur qytetari kupton se mund të flasë, të kritikojë dhe të protestojë paqësisht pa u trembur nga pushteti vetëm për shkak të mendimit të tij politik.

Mbi 100 ditë protestë na mësuan të qëndrojmë.

Ky vendim na mëson të mos kemi frikë.

RAMA DHE ANTITERRORI NUK JANË MBI LIGJIN.

PROTESTA NUK ËSHTË KRIM.

FJALA POLITIKE NUK ËSHTË KRIM.

FRIKA PO VDES!”

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top