Nga Kastriot Çipi:
Ne jemi Sovrani! Deputetët janë të deleguarit tanë
Në një demokraci, pushteti buron nga qytetarët. Deputetët nuk janë pronarë të votës së popullit dhe as pushteti politik nuk është një pasuri personale që mund të përdoret sipas dëshirës.
Ata janë të zgjedhurit tanë. Janë të deleguarit tanë në institucionet e shtetit dhe kanë një përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve që u dhanë votën.
Vota nuk është një çek bosh. Ajo është një besim.
Dhe kur ky besim shpërdorohet, qytetari ka të drejtë të kërkojë llogari.
Ne jemi Sovrani!
Kjo do të thotë se qytetarët duhet të jenë gjithmonë mbi pushtetin politik, jo në shërbim të tij. Deputeti duhet të kujtojë se mandati i tij buron nga populli dhe se çdo vendim që prek jetën e qytetarëve duhet të mbajë parasysh interesin publik.
Nëse institucionet largohen nga vullneti i qytetarëve, atëherë shoqëria ka të drejtë të kërkojë ndryshimin e rregullave, forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe rikthimin e pushtetit te sovrani.
Por demokracia nuk është vetëm të votosh një herë në katër vjet.
Demokracia është edhe të kërkosh transparencë, të protestosh, të organizohesh, të denoncosh abuzimin dhe t’u kujtosh të zgjedhurve se mandati i tyre nuk është pronë personale.
Një shoqëri që harron se është Sovrani, rrezikon t’ia dorëzojë pushtetin pa kontroll atyre që duhet ta ushtrojnë atë në emër të saj.
Prandaj mesazhi duhet të jetë i qartë:
Ne jemi Sovrani.
Deputetët janë të deleguarit tanë.
Pushteti duhet të jetë në shërbim të qytetarit.
Dhe qytetari ka të drejtë të kërkojë llogari nga ata që zgjodhi.
Nëse duam një Shqipëri ku fjala e qytetarit të ketë peshë, duhet të rikthejmë në qendër të demokracisë pikërisht atë që është themeli i saj: popullin.
Meshazi i Peticionit:
Drejtuar: Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë
Prej më shumë se 3 muajsh, shqiptarët po protestojnë kundër Ramës & Berishës dhe sistemit, që ata kanë ndërtuar, me ndryshimet në Kushtetutë, duke filluar nga viti 2007. Ata thërrasin “Rama në burg, Berisha në burg”, sepse e kanë kuptuar, se binomi i tyre na ka sjellë këtu.
Në referendumin e vitit 1994, Populli refuzoi projektin e Kushtetutës gjysmë-presidenciale, sepse nuk donte njëshin e fortë në majë të piramidës, qoftë edhe për vetëm dy mandate presidenciale, sa parashikonte ajo Projekt-Kushtetutë!
Këtë vullnet, Populli e rikonfirmoi në referendumin e 1998-s, kur miratoi një republikë parlamentare, me pushtete të balancuara.
Por Rama & Berisha e tradhtuan vullnetin e Popullit, duke na risjellë njëshin e fortë në majë të piramidës, me instalimin e republikës kryeministrore, madje pa asnjë kufizim mandati për kryeministrin, me ndryshimet e viteve 2007-2008! Në harkun e viteve 2007 – 2022, Rama & Berisha (ose Basha) e kanë ndryshuar Kushtetutën plot 7 herë (më i rëndësishmi ndryshimi i sistemit zgjedhor), por kurrë nuk kërkuan miratimin Popullit me referendum.
Dhe ja ku jemi sot! Në çdo 5 shqiptarë me të drejtë vote sot, 3 nuk kanë pasur mundësi të votojnë kurrë për Kushtetutën e tyre, sepse kanë lindur pas vitit 1980! I katërti zgjodhi të bojkotojë referendumin e 1998-s dhe nuk pati më një shans të dytë, për shtatë ndryshimet e 20 viteve të fundit. Ndërsa i pesti ka të drejtë të ndihet i tradhtuar, sepse votoi për republikën parlamentare, që Rama & Berisha e kthyen në republikë kryeministrore, pa e pyetur!
Është koha për një Kushtetutë të re, të miratuar me referendum popullor!
Por për këtë na duhet një ligj i mirë për referendumet, një detyrim kushtetues, që Rama & Berisha e kanë shkelur! Kemi ende në fuqi Kapitullin IX të Kodit të shfuqizuar Zgjedhor të 2003-shit, si një gjymtyrë të mumifikuar të një trupi të varrosur e të tretur. Rama & Berisha pranojnë zgjedhje për Kuvendin me pjesëmarrje 41% (përfshi votat me postë të Diasporës), por kërkojnë mbi 50% pjesëmarrje për referendumet (ndërkohë që përjashtojnë Diasporën). Rama qeveris dhe miraton ligje me 21% të votave të shqiptarëve, por kërkon mbi 33% vota pro në referendum për të shfuqizuar njërin nga ato ligje.
Deputetë! Keni vetëm pushtet të deleguar, nga Populli. Ai është Sovrani, jo ju! Shpallni qëndrimin tuaj sot: Jeni pro apo kundër një ligji të ndershëm për referendumet dhe një Kushtetute të re, të miratuar me referendum?
Nënshkruaje dhe shpërndaje nëse je dakord!
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

