ANALIZA: S’ka rrugë tjetër: DUHET ZGJIDHJA!

Nga Armir Shkurti:

Protesta nisi politike. Grushti dhe tërheqja zvarrë e një protestuesi nga rojet e Zvërnecit zgjuan tek çdo qytetar thirrjen: “Boll më! Kupa u derdh!” Tek ai burrë i tërhequr zvarrë shumëkush prej nesh pa veten: zvarrë në gjykata, zvarrë në banka, zvarrë në spital, zvarrë në zyrat e shtetit….

“Rama në burg – Berisha në burg” sintetizon vetëdijen qytetare se:

  • Edi Rama është ortak me Sali Berishën.
  • Të dy janë njëlloj fajtorë për shpopullimin, falimentimin, copëzimin dhe shitjen e Shqipërisë.

Pra, që ditën e parë qytetaria në shesh shprehu prerazi ndarjen prej klasës kriminale të korruptuar të tranzicionit dhe aspiratën për “revolucion” dhe “Shqipëri të re”.

Në rrjedhën e ditëve mercenarët e establishmentit e “përkulën” pak shënjestrën: “Rama, jep dorëheqjen!” Duket e arsyeshme në vështrim të cekët. “A i miratoi Rama ligjet antishqiptare? A është Rama e keqja e vendit me keqqeverisjen e tij? Bukur! Shporrim Ramën!”

– .. dhe kë sjellim?
– Ore, heqim njëherë këtë m*t!

Ah, jo mor miq! Gjatë këtij tranzicioni sa një përjetësi s’kemi bërë tjetër veçse kemi trazuar kazanin e m*tit me moton: “e keqja më e vogël”.

BOLL!

O sot, o kurrë kemi në dorë të ndërtojmë të mirën e madhe! Populli është gati dhe protesta po e kërkon.

Krimbat e regjimit kanë 85 ditë e netë që u bënë copë për të mos lënë të shquhen faktorë jashtë kontrollit të establishmentit dhe, kryesorja, të quhet blasfemi dhe sakrilegj ideja e një partie që del nga protesta.

Mirëpo është në zemrën dhe fjalën e çdo qytetari të ngritur kundër regjimit ORGANIZIMI dhe PËRFAQËSIMI. Është vullnet i qytetarisë që klasa e vjetër të kalojë në opozitë, në Shqipëri të ndërtohet demokraci, shtet i së drejtës dhe lirive, të zhbëhen monopolet, të liberalizohet tregu dhe të sanksionohet sovraniteti.

Pra: jo thjesht të heqim Ramën. Bashkë me heqjen e Ramës të ndalojmë rrotacionin kriminal të tranzicionit. Dhe njëkohësisht të ofrojmë zgjidhje politike me standarde demokratike, garanci për shenjtërinë e territorit, pronës dhe sovranitetit dhe rindërtim të vendit e rikthim të emigrantëve bashkë me ripopullimin me shqiptarë. Në vend të “futjes në Europë” do të “fusim Europën në Shqipëri”, ashtu siç kërkuam (por na e vodhën) në vitet ’90.

Miq dhe armiq!

Mikrofoni para kryeministrisë dhe shëtitja pas, janë veçse një pjesëz e dukshme e përmbysjes që ka nisur. Republika e re që po lind ndjehet në sjelljen e qytetarisë kudo, jo vetëm në shesh dhe, e ripërsëris, qytetaria kërkon fuqishëm ORGANIZIM dhe PËRFAQËSIM. Dhe nuk do të vonojnë! Ky është fokusi tash e mbrapa dhe jo koha e humbur me mercenarët e establishmentit në tubim!

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top