Nga Redaksia – Në një postim në rrjetet sociale, Boanat Bonati ka rikthyer kujtimet e fëmijërisë së tij dhe një prej realiteteve më të vështira që ka përjetuar Shqipëria në vitet e para të tranzicionit: mungesën e bukës.
Përmes një rrëfimi personal, Bonati sjell në vëmendje radhët e gjata, dyqanet bosh, kaosin dhe përpjekjet e familjeve shqiptare për të siguruar ushqimin bazë. Një kujtim që sot mund të duket i pabesueshëm për brezat e rinj, por që për shumë shqiptarë ishte realitet i përditshëm.
Buka në 1991
Në 1991 buka u bë luks për shqiptarët në Shqipëri. Pas një dekade të vështirë ekonomike të viteve 1980, mbasi Shqipëria u prish dhe me Kinën dhe mbeti totalisht e izoluar, ku radhët për ushqime bazike nëpër dyqanet ushqimore u bënë normale, sa të merrje një shishe qumësht duhet të rrije 5 apo 6 orë në radhë dhe prapë në fund nuk ishe i/e sigurt nëse do merrje apo jo, pasi mund të mbaronte pa të ardhur radha ty.
Në 1991, kur diktatura komuniste po i linte vendin të ashtuquajturës demokraci, pikërisht në atë moment tranzicioni pati dhe një krizë buke të paparë.
Kjo erdhi si pasojë e kolapsit ekonomik të regjimit komunist, shpërbërjes së kooperativave shtetërore ku ishte bazuar furnizimi me drithëra deri atëherë, duke sjellë rënie të prodhimit, kombinuar me rënien e importeve dhe kaosin që përfshiu Shqipërinë.
Ishte një kohë e madhe krize. Mund të kishe para pafund, por s’kishe ku blije atë që doje. Dyqanet ishin thuajse bosh dhe atë kohë dëgjova për herë të parë shprehjen, “aty thyn miu kokën”, që do të thotë se as miu nuk ka çfarë gjen për të ngrënë aty.
Aktiviteti privat nuk kishte filluar akoma si duhet dhe çdo gjë duhet ta blije në dyqanet shtetërore, të cilat po rrënoheshin bashkë me shtetin.
Si fëmija më i madh i shtëpisë dhe pse akoma në shkollë fillore, barra për të sjellë bukën në shtëpi, apo siguruar bukën për familjen, më kishte rënë mua.
Prindërit ishin në punë, gjyshja atë kohë në pension merrej me pazaret e asortimenteve të gatimit dhe gatuante për familjen. Gjyshi, po ashtu pensionist, nuk mund të rrinte nëpër radhë dhe të shtyhej me njerëzit për të blerë bukë.
Shpesh më duhej të rrija me orë të tëra rrugëve për të blerë bukën.
Kisha dy dyqane buke afër, njërin ngjitur me “Shkollën e Kuqe”, i cili çuditerisht vazhdon të qëndrojë aty i pandryshuar edhe sot. I braktisur, por me pamjen e vitit 1991, me xhama të thyer dhe hekura në fasadën ballore. Nuk e kam marrë vesh kurrë pse atë dyqan prej 35 vitesh nuk e përdor më njeri dhe është lënë ashtu, në dallim nga dyqanet përreth që u privatizuan dhe u bënë dyqane moderne apo lokale më pas.
Dhe një në Rrugën Bardhyl.
Të dyja këto i kisha në distancë të vogël ecjeje.
Mirëpo kishte raste kur në asnjërin prej tyre ose nuk kishte bukë, ose mbarohej para se të mbërrinte radha ime.
Pastaj puna komplikohej shumë.
Më duhej të merrja biçikletën e gjyshit, një MIFA gjermano-lindore, apo atë kineze të babit dhe të dilja nëpër Tiranë, nëpër lagje më të largëta për të gjetur ndonjë dyqan buke me bukë brenda ku mund ta blija.
Shpesh bëheshim dhe grup çunash moshatarë, të gjithë nëpër rrugët e Tiranës në kërkim të bukës për familjen.
Familja priste të hante drekën dhe nuk uleshin dot në tavolinë pa ardhur buka në shtëpi. Shqiptari nuk ha dot asgjë pa bukë, sidomos kur gatuheshin gjëra të lëngshme apo groshë.
Shpesh rastiste që mbërrinte makina e bukës kur isha aty dhe fillonte shkarkimi.
Bukët ishin në arka të mëdha druri të mbërthyera me bulona hekuri dhe të përforcuara me disa shufra hekuri dhe duhej të shkarkoheshin me dorë.
Shkarkimi ishte “sport” më vete. Shpesh bukët nga makina te dyqani hidheshin dorë më dorë si tullat. Për higjienën as e vriste mendjen njeri. Hamësve shpesh i bashkohej dhe populli për të përshpejtuar shkarkimin që të mund ta blinin bukën sa më shpejt dhe ta çonin në shtëpi.
Dhe sistemimi i bukëve në dyqan ishte po aq kaotik dhe shpesh ato nuk futeshin hiç nëpër rafte, por thjesht stivoseshin bukë mbi bukë, njësoj si tullat.
Pastaj mbërrinte ky momenti që shikoni në këtë filmim: blerja e bukës, që ishte po aq kaotike, ku secili turrej dhe i lutej shitëses t’i jepte bukën nga frika se mbaronin dhe mbeteshin pa gjë.
Ky filmim duket se është marrë në ndonjë qytet jashtë Tiranës, por dhe në Tiranë pamja në dyqanet e bukës ishte fiks kështu.
Më pas, nga kaosi që krijohej nga dyndja e njerëzve, shteti vuri hekura në çdo dyqan buke. Hekura fiks si ato të burgut, me një dritare të vogël ku mund të zgjasje dorën për t’i dhënë lekët dhe marrë bukën shitëses.
Sot, që dyqanet dhe furrat e bukës janë gjithmonë plot, duket surrealiste dhe ato që nuk e kanë përjetuar nuk mund ta imagjinojnë, por ja që ishte një realitet të cilin brezi im e ka përjetuar dhe, sa pashë këtë filmim diku në një portal, m’u rikthyen të gjitha kujtimet.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

