Besa e dhënë e Ramës për Zvërnecin nuk ka asnjë vlerë, është thjesht presion …

Po hyjmë në muajin e tretë të protestave dhe Edi Rama vazhdon të sillet sikur vendimi për Zvërnecin është marrë tashmë në shtëpinë e tij

Nga Redi Minga:

Po hyjmë në muajin e tretë të protestave kundër projektit në Zvërnec, dhe ndërsa qytetarët vazhdojnë të ngrenë zërin për një prej zonave më të ndjeshme të bregdetit shqiptar, kryeministri ka zgjedhur përballjen dhe arrogancën politike.

Në vend që të dëgjojë zërin e qytetarëve, dhe të hapë dokumentat, e të bëjë transparente procedurat dhe të japë përgjigje për pyetjet që janë ngritur, Rama përsërit të njëjtën formulë: projekti do të bëhet.

Por kjo nuk është përgjigje.

Është thjesht një deklaratë force.

Në intervistën e tij me gazetarin britanik Roussinos, Rama praktikisht e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet. Ai iu referua edhe precedentit të vitit 2013, kur u tërhoq përballë protestave kundër armëve kimike, duke lënë të kuptohet se këtë herë nuk do të bëjë të njëjtën gjë.

Kjo është pikërisht ajo që Rama duhet larguar nga pushteti.

Sepse Ramës i duket vetja padrino duke e kthyer çështjen e Zvërnecit në një betejë personale. Nuk është më vetëm një projekt turistik. Nuk është më vetëm një investim. Është shndërruar në një çështje egoje politike: unë e kam dhënë fjalën dhe projekti do të bëhet.

Por Shqipëria nuk është pronë personale e kryeministrit.

Dhe “besa” e Edi Ramës nuk mund të ketë fuqi mbi ligjin, mbi natyrën dhe mbi popullin.

Rama mund t’i japë besën kujtdo që dëshiron. Mund t’u premtojë investitorëve mbështetjen e tij. Mund të deklarojë se nuk do të tërhiqet. Por ai nuk mund të vendosë me një deklaratë televizive se çfarë do të ndodhë përfundimisht me Zvërnecin.

Sepse ekzistojnë procedura.

Ekzistojnë ligje.

Ekzistojnë institucione.

Dhe mbi të gjitha ekziston një popull që ka të drejtë të kundërshtojë.

Tre muaj protesta nuk janë një aksident që Rama mund ta kalojë me një batutë.

Tre muaj protesta janë një sinjal politik dhe shoqëror që një pjesë e madhe e qytetarëve nuk e pranon mënyrën se si po trajtohet kjo çështje.

Por Rama sillet sikur protestuesit janë thjesht një pengesë që duhet kapërcyer.

Ky është problemi më i madh.

Në vend që të përpiqet të bindë qytetarët, kryeministri kërkon t’u tregojë se nuk ka rëndësi nëse binden apo jo.

Vendimi është marrë.

Kjo është logjika që përcjellin deklaratat e tij.

Dhe nëse kështu është, atëherë lind pyetja më e thjeshtë: përse bëhen procedurat, studimet, konsultimet dhe vlerësimet, nëse kryeministri e ka vendosur paraprakisht rezultatin?

Përse duhet të ketë një proces nëse rezultati është përcaktuar me “besën” e Edi Ramës?

Kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë një shtet normal.

Rama po përpiqet ta paraqesë veten si garantin e investimit. Por detyra e një kryeministri nuk është të jetë garant i interesave të një investitori. Detyra e tij është të jetë garant i interesit publik dhe i respektimit të ligjit.

Në rastin e Zvërnecit, pyetja nuk është nëse Edi Rama do të mbajë apo jo një premtim që u ka dhënë investitorëve.

Pyetja është tjetër:

A do ta mbajë shteti shqiptar fjalën që u ka dhënë qytetarëve të tij?

Sepse qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë.

Kanë të drejtë të kërkojnë të dinë çfarë ndërtohet, ku ndërtohet, çfarë ndikimi do të ketë, çfarë përfiton Shqipëria dhe çfarë humbet.

Kanë të drejtë të protestojnë.

Dhe kryeministri nuk ka të drejtë ta trajtojë këtë kundërshtim si një bezdi që duhet shtypur me deklarata politike.

Rama e di shumë mirë se çfarë ndodhi me armët kimike. E di se një kryeministër mund të thotë “po” sot dhe të detyrohet të thotë “jo” nesër kur përballë ka një kundërshtim të madh shoqëror.

Prandaj edhe përpjekja për të bërë dallimin mes asaj proteste dhe protestave të sotme nuk e zgjidh problemin.

Në 2013 Rama u tërhoq sepse protesta u bë më e fortë se vendimi i qeverisë. Sot ai duket i vendosur të provojë të kundërtën: nëse protesta nuk bindet, të mos bindet as qeveria.

Kjo nuk është forcë.

Është kokëfortësi personale dhe e dëmshme.

Dhe kur bëhet fjalë për një territor si Zvërneci, kokëfortësia e një kryeministri mund të ketë pasoja që zgjasin shumë më tepër se një mandat qeverisës.

Prandaj “besa e dhënë” e Ramës nuk duhet të jetë argument.

Nëse projekti është i mirë, le ta provojë këtë me dokumente. Nëse është i ligjshëm, le ta dëshmojë përmes procedurave. Nëse është i dobishëm për Shqipërinë, le ta bindë publikun.

Por të thuash “e kam dhënë besën dhe nuk tërhiqem” nuk është transparencë.

Është ultimatum.

Dhe Shqipëria nuk ka nevojë për ultimatume të kryeministrit.

Ka nevojë për institucione që funksionojnë.

Ka nevojë për ligj që zbatohet njësoj për të gjithë.

Dhe mbi të gjitha ka nevojë për një qeveri që kupton se një investim mund të jetë i madh, një investitor mund të jetë i fuqishëm, por asnjëri nuk është më i madh se interesi publik.

Prandaj, pas gati tre muajsh protestë, pyetja nuk është më nëse Rama do të mbajë “besën” e tij.

Pyetja është nëse Rama do të dëgjojë zërin e qytetarëve.

Sepse një kryeministër nuk zgjidhet për t’u dhënë besë investitorëve.

Zgjidhet o për t’i shërbyer qytetarëve ose për t’u larguar përundimisht.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top