Pamja e profilit tregon një grua e cila mbulon fytyrën për t’u mbrojtur nga tymi gjatë një zjarri në Siviri, në gadishullin e Halkidikisë, në veri të Greqisë, më 13 gusht 2026. (AP/Giannis Papanikos)
Nga Redaksia – Autoritetet greke bëjnë të ditur se kanë arrestuar një shtetas 35-vjeçar izraelit, nën dyshimin se ka shkaktuar një zjarr pyjor në ishullin e Kretës, ndërsa vendi po përballet me një valë sezonale zjarresh vdekjeprurëse.
Sipas faqes së lajmeve E-Kathimerini, burri, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, akuzohet se ka ndezur një barbecue në një zonë të pyllëzuar pranë qytetit të Rethimnos, në bregdetin verior të Kretës, pavarësisht se në të gjithë ishullin ishte në fuqi ndalimi i ndezjes së zjarreve.
Sipas Walla, autoritetet dyshojnë se prushi dhe shkëndijat nga zjarri i barbecue-it janë përhapur nga erërat e forta nga ambienti ku ai po qëndronte, duke shkaktuar shpërthimin e zjarrit.
Ai akuzohet për zjarrvënie nga pakujdesia.
Sipas raportimit, zjarrfikësve iu deshën rreth katër orë për ta vënë situatën nën kontroll.
Dy fronte zjarri në Salaminë – Mesazhe të njëpasnjëshme nga 112
Dy fronte zjarri janë aktualisht në zhvillim në Salaminë, ku vatra e parë është konstatuar në zonën Peristeria, në një zonë pyjore pranë një vendbanimi, ndërsa zjarri i dytë po përhapet në zonën Selinia.

Forcat zjarrfikëse janë përforcuar dhe në terren po operojnë tashmë 146 zjarrfikës, me nëntë grupe këmbësorësh të Njësisë së Parë Speciale të Operacioneve Pyjore (EMODE) dhe 32 automjete, si dhe vullnetarë.
Ndërkohë, nga ajri po kryejnë hedhje uji katër avionë zjarrfikës dhe gjashtë helikopterë, ndërsa në operacionin e forcave zjarrfikëse po ndihmojnë edhe autobotet e ujit të pushtetit vendor.
Duke folur për ERT-në, kryetari i Bashkisë së Salaminës, Jorgos Panagopulos, deklaroi se kishte marrë informacion se disa shtëpi janë përfshirë nga flakët. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se janë kërkuar mjete lundruese për evakuimin e njerëzve.
Për shkak të zjarrit në Salaminë janë dërguar mesazhe të njëpasnjëshme nga 112, me autoritetet që u bëjnë thirrje banorëve dhe personave që ndodhen në disa zona të ishullit të largohen drejt vendeve më të sigurta.

Në veçanti, personave që ndodhen në zonat DEI Chalioti dhe Perani u kërkohet të largohen përmes Aveniusë Peristerion në drejtim të Aianteios.
I njëjti udhëzim është dhënë edhe për personat që ndodhen në zonat Peristeria dhe Aias Club, të cilëve gjithashtu u kërkohet të lëvizin përmes Aveniusë Peristerion, në drejtim të Aianteios.

Një mesazh i ri nga 112 ka të bëjë edhe me zonën Kaki Vigla, ku qytetarëve që ndodhen aty u kërkohet të largohen në drejtim të Aianteios.
Në të gjitha njoftimet theksohet se qytetarët duhet të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
Operacioni po zhvillohet në kushte veçanërisht të vështira, pasi zona ndodhet sot në një nivel shumë të lartë rreziku për shpërthim zjarresh, të kategorisë 4.

Ndërkohë, për hetimin e shkaqeve të shpërthimit të zjarrit është aktivizuar Sektori Hetimor për Trajtimin e Krimeve të Zjarrvënies në Pire.
Gjithashtu raportohet se situata më e vështirë ndodhet në Peristeria
Janis Artopios, zëdhënës i përkohshëm i Shtabit të Shërbimit Zjarrfikës, duke folur për SKAI 100.3, e përshkroi situatën në dy frontet e zjarrit që janë në zhvillim në ishull si jashtëzakonisht kritike.
Siç tha ai, problemi më i madh është në Peristeria, një zonë me bimësi të dendur, ku në këtë periudhë të vitit mblidhet një numër i madh vizitorësh dhe pushuesish.
Siç theksoi, prioriteti i forcave përgjegjëse është largimi i sigurt i njerëzve nga zona, duke marrë parasysh kushtet që mbizotërojnë. /Kathimerini
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

