Dimri i madh për Merz: Gjermania drejt negociatave me Rusinë, por vazhdon të armatosë Ukrainën …
Nga Redaksia – Gjermania po sinjalizon një qasje të re ndaj konfliktit në Ukrainë, duke hapur publikisht mundësinë e negociatave me Rusinë. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi se Europa është e gatshme të ulet në tryezën e bisedimeve me Moskën, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Deklarata e Merz u bë gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Berlin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
“Sigurisht, Europa është e gatshme të negociojë me Rusinë”, deklaroi kancelari gjerman, duke theksuar se synimi europian mbetet arritja e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.
Sipas Merz, bisedimet mund të rifillojnë në nivelin e këshilltarëve të sigurisë kombëtare, në një format ku do të përfshihen Ukraina, Rusia, Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një nga vendet ku mund të zhvillohen takimet e ardhshme është Abu Dhabi, ku palët mund të rikthehen në tryezën e negociatave gjatë javëve në vijim.
Nga njëra anë negociata me Rusinë, nga ana tjetër prodhim i dronëve për Ukrainën
Por, ndërsa kancelari Merz deklaron gatishmërinë e Europës për të negociuar me Moskën, Gjermania po vazhdon paralelisht zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak me Ukrainën.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, njoftoi në Berlin se Gjermania do të nisë prodhimin e dronëve zbulues ukrainas të tipit Babka. Projekti do të realizohet përmes një partneriteti mes kompanisë gjermane Wingcopter dhe kompanisë ukrainase Shadow Flytech.
Qeveria gjermane parashikon të investojë rreth 34 milionë euro në këtë projekt, i cili është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në prill nga kancelari Friedrich Merz dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Marrëveshja synon zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, veçanërisht në prodhimin e dronëve.
Berlini dhe Kievi kanë nënshkruar gjithashtu një deklaratë mirëkuptimi për zhvillimin e sistemit ukrainas të komandimit luftarak Delta. Ky sistem mundëson bashkimin në kohë reale të të dhënave nga burime të ndryshme ushtarake, duke synuar përmirësimin e zbulimit, planifikimit dhe koordinimit të operacioneve.
Pistorius bëri të ditur se teknologjia pritet të përdoret edhe nga ushtria gjermane, duke forcuar kapacitetet mbrojtëse të Gjermanisë dhe NATO-s.
Paralajmërimet për Detin Baltik dhe Rusinë
Gjatë deklaratave të tij, ministri gjerman i Mbrojtjes paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e përshkallëzimit të situatës në rajonin e Detit Baltik, pas sulmit të fundit ndaj një anijeje ruse në Gjirin e Finlandës.
Pistorius theksoi se konflikti nuk duhet të zgjerohet përtej Ukrainës, duke shprehur shqetësimin për pasojat që mund të sjellë një përshkallëzim i mëtejshëm.
Ndërkohë, lidhur me raportimet se Rusia mund të vendosë në hapësirë një satelit të pajisur me armë bërthamore, ministri gjerman kërkoi që situata të trajtohet me qetësi dhe të shqyrtohen fillimisht të gjitha të dhënat.
Sipas tij, autoritetet gjermane dhe aleatët perëndimorë po analizojnë informacionet dhe masat e nevojshme.
Dy drejtime paralele të politikës gjermane
Zhvillimet e fundit tregojnë se Gjermania po ndjek njëkohësisht dy drejtime: nga njëra anë shpreh gatishmërinë për negociata diplomatike me Rusinë, ndërsa nga ana tjetër thellon bashkëpunimin ushtarak dhe teknologjik me Ukrainën.
Mbetet për t’u parë nëse mundësia e negociatave në Abu Dhabi do të sjellë një proces konkret drejt paqes, apo nëse bashkëpunimi ushtarak mes Berlinit dhe Kievit do të vazhdojë të zgjerohet paralelisht me përpjekjet diplomatike.
© Copyright of PatriotikMedia.al


