Ferit Hoxha sërish në skenë: pas çështjes së detit me Greqinë, pikëpyetje për konsullatën serbe në Shkodër …

Nga Redaksia – Deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, për një marrëveshje në parim me homologun shqiptar Ferit Hoxha mbi hapjen e zyrave konsullore kanë nxitur debat të gjerë në Shqipëri, veçanërisht për mundësinë e hapjes së një konsullate serbe në Shkodër.

Sipas Gjuriçit, gjatë takimit me ministrin Hoxha është arritur një dakordësi në parim për hapjen e një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës dhe një konsullate serbe në Shkodër.

“Jam i kënaqur që pata bisedime kaq të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe në Bujanoc”, është shprehur kryediplomati serb.

Deklarata ka ngjallur pikëpyetje mbi arsyet e hapjes së një përfaqësie konsullore serbe në Shkodër dhe nevojën që do të mbulonte ajo. Sipas të dhënave të Censit të Popullsisë 2023, në qytetin e Shkodrës janë regjistruar 54 persona që janë vetëdeklaruar me përkatësi etnike serbe, përkatësisht 32 meshkuj dhe 22 femra.

Në reagimin e tij publik, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi se reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për avancimin e interesave kombëtare.

“Reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për të avancuar interesat kombëtare. Ai nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje, në objektiva apo në interesat e secilës palë”, deklaroi Hoxha.

Pas reagimeve të shumta në opinionin publik, ministri sqaroi se nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje dhe se çështja mbetet në fazën e diskutimeve.

Ndërkohë, kritikët e kësaj ideje argumentojnë se hapja e një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës është një kërkesë e kahershme për t’u shërbyer shqiptarëve që jetojnë në atë rajon, ndërsa vendosja e një konsullate serbe në Shkodër nuk justifikohet nga përbërja demografike e qytetit. Ata e konsiderojnë të papërshtatshëm krahasimin mes nevojave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe numrit të vogël të personave të vetëdeklaruar si serbë në Shkodër.

Debati është shoqëruar edhe me kritika ndaj mënyrës se si është trajtuar çështja në nivel diplomatik, ndërsa në Shkodër janë paralajmëruar protesta qytetare kundër mundësisë së hapjes së një konsullate serbe. / Boldnews.al

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top