TIRANË – Varianti i propozuar nga Partia Socialiste për reformën e re territoriale pritet të kalojë në Kuvend falë shumicës parlamentare që mazhoranca disponon. Analiza e draftit tregon se kriteri i popullsisë nuk është i vetmi element që ka përcaktuar hartën e re administrative.
Sipas propozimit, do të konsolidohen 15 bashki: Maliq, Dimal, Cërrik, Divjakë, Përrenjas, Patos, Belsh, Rrogozhinë, Klos, Selenicë, Poliçan, Memaliaj, Fushë-Arrëz, Këlcyrë dhe Libohovë.
Jo vetëm numri i banorëve
Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se edhe pas reformës, nga 46 bashkitë që mbeten, 10 do të kenë më pak se 10 mijë banorë. Në këtë listë bëjnë pjesë Himara, Dropulli, Përmeti, Kolonja, Tepelena, Memaliaj, Puka, Delvina, Konispoli dhe Pusteci.
Pusteci, me rreth 1.8 mijë banorë, mbetet bashkia më e vogël në vend, por ruan statusin e saj administrativ. Po ashtu, Konispoli, me rreth 4.9 mijë banorë, vijon të mbetet bashki, megjithëse ka një popullsi të ngjashme me Fushë-Arrëzin dhe më të vogël se disa prej njësive që parashikohet të shkrihen.
Kjo tregon se reforma nuk është ndërtuar vetëm mbi kriterin demografik, por merr në konsideratë edhe faktorë të tjerë administrativë dhe territorialë.
Bashki me mbi 20 mijë banorë humbasin statusin
Në listën e bashkive që do të shkrihen nuk përfshihen vetëm njësi me popullsi të vogël. Përkundrazi, disa prej tyre kanë mbi 20 mijë banorë dhe renditen mes bashkive më të mëdha në vend.
Maliqi është bashkia më e madhe që humbet statusin, me rreth 31 mijë banorë. Ajo renditet e 18-ta ndër 61 bashkitë e vendit për nga numri i popullsisë dhe ka më shumë banorë se 43 bashki të tjera.
Pas saj vijnë Dimali me 28.1 mijë banorë, Cërriku me 25.2 mijë dhe Divjaka me 24.9 mijë banorë. Vetëm këto katër bashki përfaqësojnë rreth 109 mijë banorë, ose afro gjysmën e popullsisë së të gjitha njësive që preken nga reforma.
Në listë përfshihen gjithashtu Përrenjasi me 18.8 mijë banorë, Patosi me 18.2 mijë dhe Belshi me 17.1 mijë banorë.
Në total, 15 bashkitë që parashikohet të bashkohen me njësi më të mëdha kanë rreth 224 mijë banorë, ose afërsisht 9.3% të popullsisë së Shqipërisë. Popullsia mesatare e tyre është rreth 15.6 mijë banorë.
Si ndryshon harta administrative
Në grupin e bashkive që do të konsolidohen përfshihen edhe Rrogozhina me 12.6 mijë banorë, Klosi me 12.2 mijë, Selenica me 9.6 mijë dhe Poliçani me 8.8 mijë banorë.
Ndërsa në fund të listës renditen Fushë-Arrëzi me 4.9 mijë banorë, Këlcyra me 4.4 mijë dhe Libohova me më pak se 2.8 mijë banorë.
Bashkitë bëhen më të mëdha
Kalimi nga 61 në 47 bashki do të rriste popullsinë mesatare teorike të një bashkie nga rreth 39.4 mijë në mbi 51 mijë banorë.
Në praktikë, efekti do të varet nga mënyra se si territori dhe popullsia e bashkive që shkrihen do të shpërndahen te njësitë pritëse.
Objektivi i reformës është krijimi i bashkive me administrata më të mëdha, me bazë më të gjerë popullsie dhe me më shumë kapacitete financiare. Megjithatë, fakti që në listën e bashkive që humbasin statusin përfshihen edhe njësi si Maliqi, Dimali, Cërriku dhe Divjaka, ndërsa disa bashki me popullsi më të vogël mbeten të paprekura, pritet të hapë debat mbi kriteret që janë përdorur për hartimin e reformës.

Në këtë mënyrë, diskutimi nuk kufizohet më vetëm te madhësia e bashkive, por edhe te logjika me të cilën janë përzgjedhur njësitë që do të konsolidohen dhe ato që do të vijojnë të ruajnë statusin administrativ.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

