Nga Redaksia – Një eksperiment i zhvilluar në Gjermani ka shkaktuar reagime të forta, pasi studiues të Universitetit të Bayreuth zëvendësuan 20% të proteinave shtazore në sallamin tradicional bavarez Weißwurst me një pluhur proteinik të prodhuar nga larvat e krimbit të miellit.
Projekti u prezantua si një kërkim shkencor për të studiuar alternativa të reja ushqimore në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. Megjithatë, për shumë qytetarë gjermanë, prekja e një prej simboleve të kuzhinës bavareze ishte e papranueshme.
Në rrjetet sociale shpërthyen reagime të shumta, ku eksperimenti u quajt “abuzim” dhe “përdhosje e trashëgimisë kombëtare”. Përballë kritikave, drejtuesja e projektit, profesorja Janine Henkel-Oberländer, sqaroi se nuk bëhet fjalë për një produkt që synon të zëvendësojë sallamin tradicional në treg, por vetëm për një studim shkencor.
Megjithatë, deklarata e saj se “pas 50 vitesh nuk do të jemi më në gjendje të ushqejmë popullsinë e planetit si sot” dhe se “transformimi i sistemit ushqimor është i pashmangshëm”, ka shtuar edhe më shumë debatin.
Përkrahësit e këtyre kërkimeve argumentojnë se burimet alternative të proteinave mund të ndihmojnë në përballimin e sfidave të ardhshme ushqimore dhe mjedisore. Nga ana tjetër, kritikët kundërshtojnë idenë e zëvendësimit të ushqimeve tradicionale me produkte të bazuara te insektet, duke kërkuar që konsumatorët të informohen qartë dhe të kenë të drejtën e zgjedhjes.
Debati i hapur në Gjermani tregon se e ardhmja e ushqimit nuk është vetëm një çështje teknologjie apo shkence, por prek edhe traditën, kulturën dhe mënyrën se si shoqëritë e perceptojnë atë që vendosin në tryezën e tyre. Pyetja që shtrohet është nëse produkte të tilla do të mbeten eksperimente laboratorike apo do të bëhen pjesë e përditshmërisë në vitet që vijnë.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

