Agjenda anti-shqiptare e pseudo-partive në Shqipëri: 80 vjet pushtet, interesa të huaja dhe vazhdimësi e elitave politike …

Nga Redi Minga:

Nga Partia Komuniste e themeluar me ndihmën e emisarëve jugosllavë, te PPSH-ja, PS-ja dhe partitë e tranzicionit – a ndryshuan vetëm emrat, ndërsa interesat e pushtetit mbetën të njëjta?

A është e mundur që Shqipëria, për më shumë se tetë dekada, të ketë ndërruar regjime, parti, flamuj politikë dhe slogane, por të mos ketë arritur kurrë të shkëputet plotësisht nga një elitë që e ka trajtuar pushtetin si pronë të saj?

A është historia politike shqiptare një histori e përplasjes së ideve dhe programeve, apo një histori e vazhdimësisë së interesave të grupeve që kanë ditur të përshtaten me çdo sistem, duke ndryshuar emrin, ideologjinë dhe aleancat sa herë që rrezikohej karrigia e pushtetit?

Dhe pyetja më e rëndë: a është cenuar interesi kombëtar shqiptar për të ruajtur pushtetin, për të kënaqur interesa të huaja dhe për të mbajtur nën kontroll pasurinë e vendit?

Këto nuk janë pyetje që mund të mbyllen me deklaratat e zakonshme të politikanëve. Përgjigjet duhen kërkuar në historinë e vendimmarrjes, në pasuritë që u shpërndanë, në institucionet që u dobësuan, në njerëzit që u larguan dhe në dokumentet që nuk arritën kurrë të bëhen plotësisht të njohura për publikun.

1. Partia Komuniste Shqiptare: një themelim me ndërhyrje të drejtpërdrejtë jugosllave

Më 8 nëntor 1941 u themelua Partia Komuniste Shqiptare. Në këtë proces morën pjesë dy emisarë të Partisë Komuniste Jugosllave, Miladin Popoviçi dhe Dušan Mugosha. Sipas dokumentacionit të Muzeut Historik Kombëtar, Popoviçi mbajti fjalën e hapjes dhe drejtoi mbledhjen, ndërsa në drejtimin e përkohshëm të partisë u përfshi Enver Hoxha.

Ky fakt duhet parë në kontekstin e marrëdhënieve të atëhershme shqiptaro-jugosllave. Shqipëria ishte një vend me rëndësi strategjike në Ballkan, ndërsa udhëheqja jugosllave synonte të zgjeronte ndikimin e saj politik në rajon.

Prandaj lind një pyetje historike që nuk duhet shmangur: pse një parti që do të merrte më vonë kontrollin e shtetit shqiptar u themelua me ndihmën dhe praninë drejtuese të përfaqësuesve të një partie të huaj?

Çfarë ndikimi pati ky fillim në orientimin politik të udhëheqjes shqiptare? Çfarë marrëdhëniesh u ndërtuan në vitet e para? Sa larg shkoi ndikimi jugosllav në vendimmarrjen shqiptare?

Historia e mëvonshme tregon se marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit u shoqëruan me përplasje të forta, varësi ekonomike, marrëveshje politike dhe më pas prishje të lidhjeve. Këto zhvillime duhen analizuar jo vetëm si histori e komunizmit, por edhe si histori e sovranitetit shqiptar.

2. PPSH-ja: shteti që u kthye në instrument të partisë

Pas marrjes së pushtetit, Partia Komuniste Shqiptare, e njohur më vonë si Partia e Punës, ndërtoi një sistem ku partia kishte kontrollin vendimtar mbi institucionet shtetërore.

Për dekada, vendimmarrja politike, ekonomike, ushtarake dhe shoqërore u përqendrua në strukturat e saj. Organizatat e masave, Fronti Demokratik dhe institucionet e tjera funksiononin brenda një sistemi ku konkurrenca e lirë politike nuk ekzistonte.

Këtu duhet ngritur një pyetje thelbësore: çfarë ndodhi me këtë aparat pushteti kur sistemi komunist filloi të shembej?

A u shpërbënë realisht rrjetet e tij? A u larguan nga institucionet të gjithë ata që kishin mbajtur përgjegjësi për funksionimin e diktaturës? A u bë një proces i plotë llogaridhënieje për njerëzit që kishin drejtuar administratën, ekonominë, Sigurimin dhe ushtrinë?

Apo një pjesë e elitës së vjetër arriti të përshtatej me sistemin e ri dhe të ruante ndikimin përmes formave të tjera politike?

3. Nga PPSH-ja te PS-ja: ndryshimi i emrit apo vazhdimësia e organizatës?

Në qershor 1991, në Kongresin e 10-të të Partisë së Punës, kjo parti ndryshoi emrin në Partia Socialiste e Shqipërisë.

Pra, PS-ja nuk lindi si një organizatë pa histori dhe pa lidhje me PPSH-në. Ajo doli nga procesi i transformimit të vetë Partisë së Punës.

Edhe studimi akademik Reconsidering Transition: Albania 1990–2020 and the Promise of Democracy e përshkruan Partinë Socialiste si pasardhëse të drejtpërdrejtë juridike të komunistëve të periudhës së mëparshme.

Kjo ngre një pyetje që duhet t’i bëhet çdo drejtuesi të PS-së, nga themelimi deri në vitin 2026:

A është bërë një shkëputje e plotë nga praktikat e vjetra të pushtetit? A janë bërë publike përgjegjësitë e drejtuesve të dikurshëm? A është hetuar pasuria e krijuar dhe privilegjet e përfituara gjatë regjimit? A është ndryshuar realisht kultura e kontrollit të institucioneve nga partia?

Dhe mbi të gjitha: a mund të pretendojë një forcë politike se përfaqëson një epokë të re, pa dhënë llogari për trashëgiminë organizative dhe politike nga e cila ka dalë?

Kjo nuk është çështje e anëtarësisë së zakonshme në PPSH. Është çështje e përgjegjësisë së njerëzve që kanë mbajtur poste drejtuese dhe e mënyrës se si u transferua pushteti nga një sistem në tjetrin.

4. Partia Demokratike dhe partitë e tjera: a u çlirua Shqipëria nga sistemi i vjetër?

Në vitin 1990 u krijua Partia Demokratike, ndërsa në vitin 1991 u legalizua pluralizmi politik. Shqipëria kaloi nga sistemi njëpartiak në konkurrencën mes disa forcave politike.

Por a mjafton të quhesh demokrat për të qenë i tillë në ushtrimin e pushtetit?

A mjafton të deklarohesh antikomunist për të provuar se je shkëputur nga rrjetet e vjetra të interesave?

PD-ja dhe partitë e tjera të tranzicionit duhet të analizohen përmes veprimeve të tyre: emërimeve, shkarkimeve, privatizimeve, marrëveshjeve, vendimeve për pronën, ushtrinë dhe institucionet.

Duhet parë edhe prejardhja politike e drejtuesve, karriera e tyre para vitit 1990, lidhjet familjare e institucionale dhe mënyra se si u përfshinë në sistemin e ri.

Nuk mund të pretendohet se të gjitha partitë e krijuara në vitet 1990 ishin organizime të PPSH-së pa dokumentuar themelimin dhe lidhjet e secilës. Por as nuk mund të pranohet verbërisht se çdo parti që u vetëquajt demokratike përfaqësoi automatikisht një shkëputje të plotë nga e kaluara.

Pyetja është, se pluralizmi solli një elitë të re që ti shërbente qytetarit, apo u bë një mekanizëm ku elitat e vjetra dhe të reja ndanë pushtetin dhe pasurinë e vendit.

5. Dosjet e komunizmit: kush i shkatërroi dhe pse nuk deshën t’i hapnin dosjet

Një nga çështjet më të rënda të tranzicionit shqiptar është historia e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Studimi historik Albania: Coming to Terms with the Communist Dictatorship përshkruan urdhrat e dhjetorit 1990 dhe shkurtit 1991 për largimin dhe shkatërrimin e materialeve arkivore. Sipas këtij studimi, në valën e dytë të spastrimit të arkivave u shkatërruan rreth 50 mijë dosje. Studimi përmend gjithashtu se ish-kryeministri Aleksandër Meksi ka folur për shkatërrimin e një numri të madh dosjesh gjatë viteve 1990–1991.

Ky është një fakt që e bën edhe më të rëndë çështjen e transparencës.

Në vitin 1992, sipas të njëjtit studim, Presidenti i atëhershëm Sali Berisha deklaroi në një intervistë për revistën gjermane Der Spiegel se dosjet nuk do të hapeshin. Në vitin 1995 u miratuan dispozita për kontrollin e figurave publike, por përdorimi politik i dosjeve dhe mungesa e një mekanizmi të qëndrueshëm transparence vazhduan të ishin problem.

Vetëm në vitin 2015 u miratua Ligji nr. 45/2015, që krijoi kuadrin ligjor për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Këtu lindin pyetje të rënda:

  • Pse u shkatërruan dosjet në momentin kur regjimi po shembej?
  • Cilët persona dhanë urdhrat dhe kush i zbatoi?
  • Çfarë informacioni përmbanin dosjet që nuk arritën të ruheshin?
  • A u përdor mungesa e dosjeve për të mbrojtur individë me të kaluar në strukturat e regjimit?
  • Pse u deshën kaq shumë vite që qytetarët dhe studiuesit të fitonin një mekanizëm ligjor për të kërkuar informacion?
  • Kush përfitoi nga vonesa e transparencës?

Nuk mund të injorohet fakti se mungesa e dokumentacionit e ka vështirësuar zbardhjen e së kaluarës. Dhe kur një shoqëri nuk njeh plotësisht të kaluarën e saj, kush përfiton nga kjo mjegull?

6. Ligji 7501: toka shqiptare dhe konflikti mes pronarëve të vjetër dhe përfituesve të rinj

Në vitin 1991 u miratua Ligji nr. 7501, “Për tokën”. Përmes tij, toka bujqësore e kooperativave dhe fermave shtetërore iu shpërnda familjeve që jetonin dhe punonin në këto struktura.

Por procesi nuk ishte kthim i tokës te pronarët e para vitit 1944.

FMN-ja ka evidentuar se Ligji 7501 nuk u dha ish-pronarëve të drejtën e rikthimit të tokës bujqësore që kishin pasur para regjimit komunist. Në vend të kësaj, toka iu shpërnda familjeve që e punonin ose jetonin në ish-kooperativat dhe fermat shtetërore. Raporti evidenton edhe copëzimin e tokës në parcela të vogla dhe vështirësitë që kjo krijoi për zhvillimin e bujqësisë.

Kjo ishte një nga vendimmarrjet më të rëndësishme për të ardhmen e pronësisë në Shqipëri.

Pse u zgjodh kjo mënyrë shpërndarjeje? Pse nuk u zgjidh në mënyrë të drejtë çështja e pronarëve të shpronësuar? Pse u lejua që konfliktet e pronësisë të vazhdonin për dekada?

A u shndërrua toka në një instrument të interesave politike dhe ekonomike? A krijoi kjo politikë një realitet të ri pronësie, i cili më vonë do të përdorej për ndërtime, turizëm dhe përfitime të mëdha ekonomike?

Këto pyetje duhen ndjekur deri te vendimet e komisioneve të tokës, regjistrimet kadastrale, lejet e ndërtimit dhe pronarët përfundimtarë të pasurive.

7. Privatizimi: pasuria publike u kthye në pasuri private, por kush përfitoi?

Gjatë tranzicionit u privatizuan ndërmarrje, fabrika, objekte industriale, prona dhe shërbime publike.

Raportet e FMN-së për Shqipërinë tregojnë se privatizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nisi në fillim të viteve 1990, ndërsa programi i privatizimit masiv për ndërmarrjet e mëdha u zhvillua në vitin 1995 dhe u ndërpre në vitin 1996, për t’u rifilluar më vonë. Raportet evidentojnë edhe probleme me çështjet e pronësisë, detyrimet financiare dhe procesin e ristrukturimit.

Por pyetja që duhet të interesojë qytetarin nuk është vetëm sa ndërmarrje u privatizuan.

Pyetja është: kush i mori ato?

Me çfarë çmimi u shitën? Kush i vlerësoi? Kush mori pjesë në ankande? Kush i financoi blerjet? Çfarë ndodhi me fabrikat pas privatizimit? Kush përfitoi nga tokat dhe pronat ku ndodheshin këto ndërmarrje?

A u krijua një ekonomi konkurruese, apo një pjesë e pasurisë së krijuar nga puna e disa brezave shqiptarë përfundoi në duart e grupeve të kufizuara?

Dhe a kanë qenë partitë në pushtet përgjegjëse për këtë proces, pavarësisht se cilës forcë politike i përkisnin?

8. Ushtria shqiptare: çfarë ndodhi me mbrojtjen kombëtare?

Një tjetër çështje që kërkon përgjigje është dobësimi i kapaciteteve ushtarake shqiptare.

Në vitin 1997, gjatë krizës së rëndë shtetërore, depot ushtarake u plaçkitën në shkallë të gjerë. Një raport i Qendrës së Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura përmend rreth 1 300 depo të plaçkitura dhe qindra mijëra armë të vogla e të lehta që përfunduan jashtë kontrollit të shtetit.

Kjo ishte një goditje e rëndë për sigurinë kombëtare.

Por hetimi nuk duhet të ndalet te viti 1997. Duhet të shohë edhe vendimet e marra para dhe pas kësaj krize: reduktimin e strukturave ushtarake, mbylljen e bazave, transferimin e pronave ushtarake, shitjen e aseteve, menaxhimin e municioneve dhe emërimet në hierarkinë e ushtrisë.

A u bë modernizimi i ushtrisë sipas interesave të mbrojtjes kombëtare? A u ruajtën kapacitetet strategjike? Kush vendosi për mbylljen ose ndryshimin e funksionit të bazave? Çfarë përfituan subjektet që morën prona apo asete me karakter strategjik?

Dhe një pyetje tjetër: a u përdorën reformat si justifikim për largimin e kuadrove ushtarake që nuk ishin të dëshiruar politikisht?

Këto nuk janë çështje që mund të mbyllen me deklaratën se Shqipëria u modernizua. Duhet të shihet se çfarë kapacitetesh kishte vendi, çfarë humbi dhe çfarë ndërtoi në vend të tyre.

9. Nga Enver Hoxha te Sali Berisha dhe Edi Rama: ndryshimi i drejtuesve dhe përgjegjësia për vendin

Enver Hoxha, Sali Berisha dhe Edi Rama i përkasin periudhave dhe sistemeve të ndryshme politike. Por të tre kanë qenë figura qendrore në historinë e pushtetit shqiptar.

Për këtë arsye, analiza nuk duhet të bëhet duke i barazuar automatikisht, por duke shqyrtuar vendimet e secilit dhe pasojat që ato kanë sjellë.

Çfarë trashëgoi secili prej sistemit që gjeti? Çfarë ndryshoi? Çfarë ruajti? Cilat interesa mbrojti? Cilat grupe përfituan gjatë qeverisjes së tij?

Sa ndikuan lidhjet ndërkombëtare dhe interesat e fuqive të huaja në vendimmarrjen e Tiranës? A pati raste kur interesat e partnerëve të jashtëm u vendosën përpara interesave të qytetarëve shqiptarë?

Dhe a është bërë ndonjëherë një bilanc i plotë kombëtar për pasurinë, ushtrinë, ekonominë, pronën dhe sovranitetin gjatë këtyre periudhave?

Një vend nuk mund të vlerësojë drejt të ardhmen nëse nuk guxon të shqyrtojë të kaluarën e drejtuesve të tij.

10. Shqipëria në vitin 2026: a kemi parti të ndryshme apo një sistem që riciklon pushtetin?

Në vitin 2026, Shqipëria vazhdon të përballet me probleme të përfaqësimit politik, kontrollit të ekzekutivit, patronazhit dhe besimit te institucionet.

Kjo ngre një pyetje për të gjitha forcat politike, jo vetëm për atë që qeveris sot: a janë partitë shqiptare organizata që i shërbejnë interesit publik, apo janë shndërruar në struktura që mbrojnë drejtuesit, klientelat dhe interesat ekonomike të lidhura me pushtetin?

A ka një konkurrencë të vërtetë politike, apo qytetari përballet me të njëjtët mekanizma të pushtetit nën emra të ndryshëm?

A është bërë Shqipëria një vend ku partitë ndërrohen në pushtet, por problemet e pronës, drejtësisë, korrupsionit, varfërisë, emigracionit dhe kontrollit të institucioneve vazhdojnë?

Dhe pse, pas kaq shumë vitesh pluralizëm, qytetarët ende kërkojnë llogari për pasurinë publike, pronën e grabitur, ushtrinë e dobësuar dhe përgjegjësitë e së kaluarës?

Kush e ka përdorur Shqipërinë për të ruajtur pushtetin?

Historia nga viti 1941 deri në vitin 2026 nuk mund të kuptohet vetëm përmes emrave të partive. Ajo duhet të kuptohet përmes njerëzve, rrjeteve, vendimeve dhe interesave që kanë përcaktuar fatin e vendit.

Partia Komuniste u themelua me pjesëmarrjen e dy emisarëve jugosllavë. PPSH-ja ndërtoi një sistem ku partia kontrollonte shtetin. Në vitin 1991, PPSH-ja u transformua në Partinë Socialiste. Në të njëjtën kohë u krijuan forca të reja politike, të cilat duhet të gjykohen nga veprimet e tyre dhe përgjegjësitë që morën gjatë qeverisjes.

Më pas erdhën vendimet për pronën, privatizimet, riorganizimin e ushtrisë dhe trajtimin e dosjeve të ish-Sigurimit. Një pjesë e këtyre vendimeve prodhoi pasoja që Shqipëria i përjeton edhe sot.

Prandaj, dyshimi për vazhdimësinë e interesave të elitave politike nuk mund të hidhet poshtë me një deklaratë partiake. Ai duhet të jetë objekt i një hetimi të thellë historik dhe gazetaresk.

A kemi pasur për tetë dekada një politikë që ka vendosur interesin e Shqipërisë në plan të dytë, përballë interesave të pushtetit dhe ndikimeve të huaja? A janë përdorur partitë, ideologjitë dhe konfliktet politike për të mbajtur qytetarët të ndarë, ndërsa vendimet më të rëndësishme për pasurinë dhe të ardhmen e vendit merreshin larg vëmendjes së tyre?

Nëse këto pyetje nuk marrin përgjigje, Shqipëria rrezikon të vazhdojë të ndërrojë qeveri pa ndryshuar mekanizmat që e mbajnë peng.

Sepse një parti nuk është patriotike nga emri, një drejtues nuk është demokrat nga deklaratat dhe një qeveri nuk është në shërbim të kombit vetëm sepse pretendon se përfaqëson popullin. Ajo duhet të gjykohet nga ajo që i ka lënë Shqipërisë.

Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.

Back To Top