VIDEO: Marina e Vlorës, miliardat, kullat dhe toka publike: Për kë po ndërtohet qyteti bregdetar?
Nga Genti Xhaka:
Për kë po ndërtohet Vlora? Kush do t’i blejë këto apartamente luksoze dhe çfarë do të mbetet për qytetarët vlonjatë?
Këto janë pyetjet që shtrohen gjithnjë e më shumë përballë transformimit urban dhe investimeve të mëdha që po zhvillohen në qytetin e Vlorës.
Kompleksi rezidencial Marina e Vlorës, ku po investojnë grupe të ndryshme biznesi, mes tyre edhe grupi i biznesmenit Saimir Mane, po i afrohet përfundimit të fazës së parë, ndërsa pritet dorëzimi i apartamenteve të para në rezidencat shumëkatëshe.
Bëhet fjalë për apartamente luksoze me çmime shumë të larta, në një zonë që dikur lidhej drejtpërdrejt me historinë dhe identitetin portual të Vlorës.
Por pyetja themelore mbetet: Si u vendos që territori i portit të Vlorës dhe hapësirat përreth tij të ktheheshin në një zonë ndërtimesh rezidenciale? Çfarë procedure u ndoq për dhënien në përdorim të kësaj hapësire dhe çfarë përfitimi konkret kanë qytetarët nga ky transformim?
Vlora nuk është thjesht një qytet turistik. Ajo ka një histori të gjatë detare, ekonomike dhe tregtare. Porti dhe zona e Skelës janë pjesë e identitetit të saj historik. Prandaj, ndryshimi i destinacionit të një territori të tillë kërkon transparencë të plotë publike.
Ndërkohë, Vlora, por edhe zonat përreth saj, po shndërrohen në një destinacion të rëndësishëm për investime të mëdha imobiliare. Nga Zvërneci në Kaninë, nga Sazani në Llogora, Dhërmi, Karaburun dhe Orikum, po zhvillohen ose promovohen projekte të shumta turistike dhe rezidenciale, ku interesi i investitorëve të mëdhenj po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.
Por a po ndërtohet kjo infrastrukturë për banorët vendas apo për një treg ndërkombëtar blerësish me fuqi të lartë ekonomike?
Me çmimet e apartamenteve luksoze, është e vështirë të besohet se pjesa më e madhe e qytetarëve të zakonshëm të Vlorës mund të përfitojnë nga këto rezidenca. Nëse një qytet ndërton vazhdimisht kulla, komplekse luksoze dhe apartamente me çmime të paarritshme për banorët e tij, atëherë lind nevoja për të diskutuar se kush është përfituesi real i këtij modeli zhvillimi.
Investimi i huaj dhe kapitali privat mund të sjellin zhvillim ekonomik, por zhvillimi nuk duhet të matet vetëm me numrin e kullave dhe vlerën e apartamenteve. Ai duhet të matet edhe me vende pune të qëndrueshme, paga dinjitoze, zhvillim të ekonomisë vendase dhe përmirësim të jetës së banorëve.
Në të kundërt, ekziston rreziku që qyteti të ndryshojë gradualisht jo vetëm pamjen, por edhe karakterin e tij ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Rritja e çmimeve të pronave, ndryshimi i strukturës së banimit dhe orientimi drejt një tregu luksoz mund të sjellin pasoja afatgjata për komunitetin vendas.
Nuk është kundërshtimi ndaj investimeve që ngre këto pikëpyetje. Është e drejta e qytetarëve për të ditur se si administrohet pasuria publike, kush përfiton prej saj dhe çfarë mbetet për brezat e ardhshëm.
Vlora nuk mund të jetë vetëm një vitrinë apartamentesh luksoze për njerëzit me miliarda. Ajo është një qytet me histori, banorë, tradita dhe një territor që duhet të shërbejë edhe për zhvillimin e ekonomisë vendase.
Prandaj, pyetjet mbeten të hapura:
- Si u dha territori i portit të Vlorës për projektin Marina?
- Cilat janë kushtet dhe përfitimet ekonomike të marrëveshjeve?
- Sa vende pune të përhershme krijohen për qytetarët vendas?
- Kush është tregu i synuar për apartamentet me çmime kaq të larta?
- A po ruhet interesi publik në zhvillimin e bregdetit shqiptar?
Për kë po ndërtohet Vlora? Për vlonjatët, për shqiptarët apo për një treg ndërkombëtar të pasurish?
© Copyright of PatriotikMedia.al


