Gjykata e Apelit ndryshon masën e sigurisë për studentin Klevin Metaj, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitjeje …

Nga Redaksia – Studenti Klevin Metaj, i arrestuar në ditët e para të protestës studentore në Tiranë, nuk do të qëndrojë më në arrest shtëpie. Gjykata e Apelit ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij, duke e zëvendësuar atë me detyrimin për t’u paraqitur një herë në muaj pranë organit përkatës.

Vendimi i Apelit vjen pas ankimit të paraqitur nga mbrojtja e studentit. Kujtojmë se në shkallën e parë të gjykimit, ndaj Metajt ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Lajmi është bërë publik nga avokati i tij, Gentian Sejrani, i cili ka njoftuar edhe një zhvillim tjetër të rëndësishëm lidhur me këtë çështje.

Sipas avokatit, është regjistruar kallëzimi penal ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, për mënyrën se si është trajtuar studenti gjatë shoqërimit dhe ndalimit të tij.

Sejrani e ka cilësuar trajtimin e studentit si degradues dhe çnjerëzor, duke bërë të ditur se tashmë çështja ndaj punonjësve të policisë do të ndiqet përmes procedurave përkatëse ligjore.

Ndryshimi i masës së sigurisë për Klevin Metajn përbën një zhvillim të ri në çështjen e studentit të arrestuar gjatë protestës në Tiranë, ndërsa paralelisht pritet të ndiqet edhe kallëzimi penal ndaj efektivëve të policisë.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top