VIDEO/Gjykata ndalon sërish punimet për muzeun hebraik në Vlorë, qytetarët festojnë vendimin: Mbrojmë historinë kombëtare …

Nga Redaksia – Dhjetëra qytetarë vlonjatë kanë udhëtuar sot drejt Lushnjës, ku është zhvilluar seanca gjyqësore në themel për çështjen e ndërtimit të muzeut hebraik në Vlorë, një projekt që ka shkaktuar reagime dhe kundërshtime nga një grup qytetarësh.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnjë, rreth një muaj më parë, vendosi pezullimin e punimeve për ndërtimin e muzeut hebraik në Vlorë, pas denoncimit të grupit iniciator.

Gjatë seancës së sotme, gjyqtari Embro Ahmetaj ka kërkuar që mediat të mos jenë të pranishme në sallën e gjyqit.

Qytetarë nga Vlora dhe Lushnja kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit, duke argumentuar se ndërtimi i muzeut hebraik mbi muzeun “Labëria” cenon, sipas tyre, historinë dhe trashëgiminë kombëtare.

Gjykata lë në fuqi ndalimin e punimeve

Pas dëgjimit të palëve ndërgjyqëse, trupa gjykuese ka vendosur të vijojë ndalimin e punimeve për muzeun hebraik në Vlorë. Vendimi është pritur me entuziazëm nga qytetarët e pranishëm, të cilët e kanë konsideruar si një fitore të kauzës së tyre.

Një prej avokatëve të palës paditëse, Mjaftore Nazëraj, sqaroi se seanca e sotme ishte paraprake dhe kishte si qëllim njohjen e palëve me objektin e gjykimit.

Sipas saj, në seancën e ardhshme gjykata do të shqyrtojë legjitimitetin e 18 paditësve, një kërkesë kjo e paraqitur nga pala e paditur, ku bëjnë pjesë Bashkia Vlorë, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Trashëgimisë Kulturore.

“Në këtë seancë u njohën palët ndërgjyqëse. Në seancën e radhës pritet të verifikohet legjitimiteti i 18 paditësve. Këtë e ka kërkuar pala e paditur, pra Bashkia Vlorë, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Trashëgimisë Kulturore. Seanca e radhës u caktua për datën 18 janar 2027”, u shpreh avokatja.

Seanca e radhës më 18 janar 2027

Çështja pritet të vijojë në Gjykatën Administrative të Lushnjës më 18 janar 2027, kur do të shqyrtohet legjitimiteti i paditësve dhe do të hidhen hapa të tjerë proceduralë në këtë proces gjyqësor.

Në përfundim të seancës, qytetarët e pranishëm kanë kënduar këngë patriotike, duke shprehur qëndrimin e tyre në mbrojtje të asaj që e konsiderojnë si trashëgimi historike dhe kombëtare të Vlorës.

Ndërkohë, punimet për projektin mbeten të ndaluara deri në vijimin e procesit gjyqësor.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top