ANALIZA: Trump paralajmëron “supriza” për paqen në Europë, por pas saj mund të fshihet plani i vjetër i Putinit për dobësimin e NATO-s!
Nga Redi Minga:
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se në takimin mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës do të ketë befasi, duke përmendur edhe një siguri të re dhe paqe në Europë. Por çfarë fshihet pas kësaj deklarate dhe sa e madhe mund të jetë kjo befasi?
Deri tani, zhvillimet në negociatat mes Moskës dhe Kievit kanë treguar se rezultatet konkrete mbeten të kufizuara kryesisht te shkëmbimi i ushtarëve të kapur rob, me ndërmjetësimin e administratës Trump. Një proces humanitar që ndihmon familjet e të burgosurve, por që nuk i jep fund luftës. Rusia dhe Ukraina vazhdojnë konfliktin, ndërsa paqja mbetet ende larg.
Por supriza për të cilën flet Trump mund të ketë një dimension shumë më të madh: rikthimin në tryezën e negociatave të kërkesës së vjetër të Vladimir Putinit, të artikuluar në vitin 2021, që NATO të tërhiqej nga pozicionet dhe prania ushtarake e vendosur pas vitit 1997.
Një kërkesë e tillë do të prekte drejtpërdrejt sigurinë e vendeve të Europës Lindore, përfshirë Poloninë, vendet baltike, Rumaninë, Bullgarinë, Hungarinë, Çekinë, Sllovakinë, Kroacinë dhe Slloveninë. Në këtë debat përfshihen edhe Finlanda e Suedia, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi do të preken nga çdo përpjekje për të dobësuar praninë dhe garancitë e NATO-s në Europë.
Në thelb, Moska ka kërkuar prej vitesh një arkitekturë të re sigurie, ku zgjerimi i NATO-s drejt Lindjes të ndalet dhe ndikimi rus në kontinent të rritet. Nëse kjo kërkesë do të bëhej pjesë e një marrëveshjeje të re, atëherë nuk do të flisnim më vetëm për përfundimin e luftës në Ukrainë, por për një ndryshim historik të ekuilibrave të sigurisë në Europë.
Por përveç sigurisë, në këtë lojë mund të ketë edhe interesa të mëdha ekonomike.
Një nga çështjet që ngre pikëpyetje është mundësia e ndërthurjes së interesave private me negociatat për energjinë ruse. Skenari që shtrohet në këtë debat është përfshirja e bizneseve të lidhura me familjen Trump në sektorin e gazit dhe naftës ruse, përfshirë asetet energjetike dhe tubacionet që furnizojnë tregjet europiane.
Në një skenar të tillë, Rusia do të rifitonte një pjesë të rëndësishme të tregut energjetik europian, ndërsa bizneset amerikane të përfshira do të mund të përfitonin nga marrëveshjet e reja. Europa, nga ana tjetër, do të rrezikonte të rikthehej në varësi nga energjia ruse, pikërisht pasi kishte investuar për vite me radhë në shkëputjen nga kjo varësi.
Kjo është edhe dilema që ngrihet për rolin e Trumpit: a po kërkon një marrëveshje të qëndrueshme paqeje, apo po përpiqet të ndërtojë një pakt të ri ekonomik dhe gjeopolitik me Moskën, ku interesat energjetike mund të ndërthuren me të ardhmen e sigurisë europiane?
Një marrëveshje e tillë do të ishte në interes të Putinit, nëse do të arrinte të përçante Europën nga SHBA-ja, të dobësonte NATO-n dhe të rikthente ndikimin rus në tregun energjetik të kontinentit.
Megjithatë, pretendimi për një kontratë private mes Trumpit dhe Putinit për pronësinë e tubacioneve ruse të gazit dhe naftës akoma nuk është konfirmuar.
Për Shqipërinë, kjo çështje ka rëndësi të veçantë. Anëtarësimi në NATO që prej vitit 2009 është një nga garancitë kryesore të sigurisë kombëtare. Çdo marrëveshje që do të vinte në diskutim praninë e Aleancës në Europën Lindore do të kishte pasoja për të gjithë kontinentin, përfshirë edhe rajonin e Ballkanit.
Në fund, pyetja mbetet: a do të jetë supriza e Trumpit një marrëveshje që sjell paqe në Ukrainë, apo një pakt që i jep Putinit mundësinë të realizojë kërkesat e tij të vitit 2021 dhe të përçajë Europën me SHBA-në?
© Copyright of PatriotikMedia.al


