KU U ZHDUK LIGJI 21/2024? Heshtje për ligjin që hapi rrugën për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, ndërsa protestat vazhdojnë!
Një pyetje që sot kërkon përgjigje: Çfarë ndodhi me Ligjin 21/2024 të qeverisë Rama? A është shfuqizuar, a është ndryshuar apo vazhdon të jetë në fuqi?
Nga Redaksia – Ndërsa në Shqipëri vijojnë protestat dhe deklaratat politike, një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e pasurive natyrore të vendit duket se është zhdukur nga debati publik.
Bëhet fjalë për Ligjin nr. 21/2024, që ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura dhe që hapi një debat të madh për mënyrën se si mund të zhvillohen projekte turistike dhe infrastrukturore në territore me vlera të veçanta natyrore.
Ajo që bie në sy është heshtja e shumë prej atyre që deri dje ngrinin zërin në protesta. Përse nuk dëgjohet më i njëjti insistim për këtë ligj? Përse nuk kërkohet publikisht llogari për ndryshimet që prekin zonat e mbrojtura?
ÇFARË NDODHI REALISHT ME LIGJIN 21/2024?
Faktet zyrtare tregojnë se ligji u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt 2024 dhe u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj më 18 mars 2024. Më 20 mars 2024 ai u botua në Fletoren Zyrtare nr. 50.
Pra, nuk bëhet fjalë për një projektligj që mbeti në sirtar. Bëhet fjalë për një ligj të miratuar dhe të hyrë në fuqi.
Ndryshimet prekën ligjin nr. 81/2017 për zonat e mbrojtura, duke krijuar mundësi për zhvillimin e projekteve të caktuara turistike dhe infrastrukturore në këto territore, përmes mekanizmave dhe vendimmarrjes së parashikuar në ligj.
Ligji u kundërshtua nga organizata mjedisore dhe deputetë të opozitës, të cilët kërkuan ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese.
Por çfarë vendosi drejtësia?
Më 31 korrik 2025, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 45, rrëzoi kërkesën për shfuqizimin e ligjit. Për rrjedhojë, Ligji 21/2024 vazhdon të jetë në fuqi.
Ky është një fakt që nuk mund të anashkalohet në asnjë debat politik për mbrojtjen e territorit shqiptar.
Ndërkohë, jashtë Shqipërisë po zhvillohet një debat i rëndësishëm për projektin e Sazanit, interesat e kompanisë së lidhur me Jared Kushner dhe kuadrin ligjor që rregullon zhvillimin e projekteve në territoret me vlera natyrore.
Në një video që qarkulloi kohë më parë ku, senatori amerikan demokrat nga shteti i Georgia-s
Jon Ossoff ngriti çështje që lidhet me Sazanin, Jared Kushnerin dhe ndryshimet ligjore të ndërmarra në Shqipëri, duke i denoncuar ato.
Kjo deklaratë kërkonte vëmendje dhe transparencë. Nuk mjafton që publiku shqiptar të dëgjojë vetëm versionin e qeverisë. Duhet të ketë përgjigje për mënyrën se si janë marrë vendimet, cilat janë përfitimet dhe çfarë garancish ekzistojnë për mbrojtjen e mjedisit.
Çështja nuk është vetëm një ishull. Çështja është modeli i zhvillimit që po ndiqet dhe mënyra se si ligjet mund të ndikojnë në të ardhmen e pasurive publike dhe natyrore të Shqipërisë.
Si është e mundur që një ligj me ndikim kaq të madh në politikat e mbrojtjes së territorit të mos jetë në qendër të debatit publik?
Përse ata që kërkojnë përgjegjësi politike nuk kërkojnë me të njëjtën forcë edhe shpjegime për Ligjin 21/2024?
A janë harruar këto çështje apo vëmendja publike është zhvendosur drejt temave të tjera?
- Përse u ndryshua ligji për zonat e mbrojtura në vitin 2024?
- Cilat interesa dhe projekte përfitojnë nga këto ndryshime?
- Çfarë garancish ka publiku se pasuritë natyrore nuk do të dëmtohen?
- Pse Ligji 21/2024 nuk është një nga temat kryesore të protestave?
- Kush mban përgjegjësi politike për këto vendime?
Një vend nuk mbrohet vetëm me slogane dhe protesta. Ai mbrohet edhe duke kërkuar llogari për ligjet që miratohen në emër të qytetarëve.
Ligji 21/2024 nuk është shfuqizuar. Ai vazhdon të jetë në fuqi. Dhe kjo është arsyeja pse debati për të nuk duhet të heshtë.
Burimet për verifikimin e fakteve:
Qendra e Botimeve Zyrtare – Teksti i Ligjit 21/2024.
Presidenti i Republikës – Dekreti i shpalljes së ligjit.
Gjykata Kushtetuese – Vendimi nr. 45, datë 31.07.2025.
© Copyright of PatriotikMedia.al


