Ardit Gjebrea në SPAK, në fokus pagesat 300 milionë lekëshe nga Bashkia e Tiranës për “Jon Music” dhe aktivitetet e tij …

Nga Redaksia – Moderatori Ardit Gjebrea është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ndërsa në vëmendje kanë kaluar pagesat e kryera nga Bashkia e Tiranës për shoqatën “Jon Music”, e lidhur me të, në kuadër të aktiviteteve dhe festivaleve të ndryshme.

Gjebrea ka mbërritur në ambientet e SPAK-ut këtë të premte, rreth orës 10:00. Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar që të sqarojë arsyen e paraqitjes së tij, në çfarë cilësie është thirrur apo nëse është marrë në pyetje në lidhje me një hetim konkret.

Megjithatë, në qendër të vëmendjes janë vendosur edhe kontratat sponsorizuese dhe pagesat e kryera nga Bashkia e Tiranës për shoqatën “Jon Music”, e lidhur me moderatorin.

Rreth 30 milionë lekë të reja në gjashtë transaksione

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, të publikuara në platformën Open Spending Data, shoqata “Jon Music” ka përfituar nga Bashkia e Tiranës një shumë totale prej 29.970.878 lekësh të reja, ose rreth 300 milionë lekë të vjetra, përmes gjashtë transaksioneve të evidentuara.

Pagesat e raportuara janë:

  • 29 janar 2019: 7.975.000 lekë.
  • Viti 2020: Dy pagesa prej 2.700.000 dhe 4.300.000 lekësh.
  • 11 tetor 2021: 6.289.998 lekë për festivalin “Kënga Magjike 2021”.
  • 3 dhjetor 2021: 705.880 lekë.
  • 19 dhjetor 2022: 8.000.000 lekë për festivalin “Kënga Magjike 2022”.

Në total, bëhet fjalë për afro 30 milionë lekë të reja të paguara nga fondet e Bashkisë së Tiranës.

Pylli orbital dhe milionat për aktivitetet promocionale

Një tjetër projekt që ka nxitur debat publik është ai i njohur si “Pylli Orbital”, i promovuar edhe nga Ardit Gjebrea. Projekti u shoqërua me një fushatë të madhe publike dhe fotografi të shumta nga aktivitetet e mbjelljes së pemëve.

Por pikërisht këtu lindin pyetjet që kërkojnë transparencë: sa u shpenzua për këto projekte, çfarë u realizua konkretisht, sa pemë u mbollën dhe sa prej tyre mbijetuan? Sa prej fondeve shkuan për shërbime organizimi, promovimi dhe aktivitete artistike?

Nëse pagesat janë kryer në përputhje me ligjin, dokumentacioni i kontratave dhe shërbimeve të ofruara duhet të jetë në gjendje të sqarojë çdo dyshim.

Publiku ka të drejtë të dijë se si janë përdorur paratë e taksapaguesve, cilat shërbime janë financuar dhe çfarë përfitimi konkret kanë sjellë këto aktivitete për qytetarët e Tiranës.

Për momentin, mbetet të pritet informacioni zyrtar nga SPAK për paraqitjen e Ardit Gjebreas. Duhet theksuar se paraqitja në Prokurorinë e Posaçme nuk përbën në vetvete akuzë apo provë për shkelje ligjore.

Transparenca nuk bëhet me fotografi me lopata në duar, por me dokumente, kontrata dhe rezultate konkrete.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top