VIDEO: Pas përplasjeve te Ministria e Arsimit, protestuesit marshojnë drejt Kryeministrisë …

Nga Redaksia – Ka agravuar protesta tek ministria e arsimit me, gurë në drejtim të policisë, zjarrvënie me kosha mbeturinash dhe ndërhyrje me ujë me presion e sprej piperi. Protesta e 26-të studentore vijon me tensione në kryeqytet.

Tensionet janë përshkallëzuar këtë të shtunë në protestën studentore, pasi përplasjet përpara Ministrisë së Arsimit kanë detyruar policinë të ndërhyjë me mjete të posaçme për shpërndarjen e turmës. Pas incidenteve, protestuesit kanë nisur marshimin në drejtim të Kryeministrisë, duke vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Kjo është protesta e 26-të radhazi e studentëve, ose e 161-ta që prej nisjes së të ashtuquajturit “Revolucion Flamingo”.

Përplasje me policinë, hidhen gurë dhe digjen kosha mbeturinash

Situata u tensionua përpara Ministrisë së Arsimit, ku disa të rinj hodhën gurë në drejtim të efektivëve të policisë. Në përgjigje, uniformat blu përdorën fillimisht sprejin me piper, ndërsa më pas, pas thirrjeve për qetësi, ndërhynë me dy autobotë me ujë me presion.

Ndërkohë, disa protestues vendosën kosha mbeturinash në rrugë dhe u vunë flakën, duke krijuar një bllokadë përpara forcave të rendit.

Policia nisi zhvendosjen e protestuesve, ndërsa nga ana e tyre të rinjtë vijuan të hidhnin gurë në drejtim të autobotëve dhe të kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Marshimi drejt Kryeministrisë, thirrje kundër Ramës dhe Berishës

Pas përplasjeve përpara Ministrisë së Arsimit, protestuesit dhe qytetarët e pranishëm janë zhvendosur në drejtim të Kryeministrisë.

Gjatë marshimit nuk kanë munguar sloganet politike, mes të cilave: “Rama në burg, Berisha në burg”, si dhe thirrja drejtuar Partisë Demokratike: “Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite?”.

Edhe në nisje të protestës së sotme pati debate dhe momente tensioni mes disa studentëve dhe përfaqësuesve apo mbështetësve të Partisë Demokratike, të cilët janë bërë sërish pjesë e tubimit në mbështetje të studentëve. Sipas raportimeve, debatet kanë kaluar edhe në përplasje fizike.

Protesta vijon, ndërsa situata mbetet e tensionuar

Marshimi drejt Kryeministrisë shënon një tjetër zhvillim në protestën që prej javësh po mban të mobilizuar studentë dhe qytetarë.

Pas incidenteve pranë Ministrisë së Arsimit, vëmendja tashmë është zhvendosur te Kryeministria, ku protestuesit pritet të vijojnë kërkesat dhe thirrjet e tyre kundër qeverisë.

PatriotikMedia.al do të ndjekë në vijim zhvillimet e protestës.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top