Qeveria Rama e kthen Shqipërinë si han pa porta – çon në Kuvend marrëveshjen europiane për lëvizjen pa viza të refugjatëve …

Nga Redaksia – Qeveria e Edi Ramës ka miratuar një tjetër marrëveshje ndërkombëtare që lidhet me lëvizjen e refugjatëve. Bëhet fjalë për Marrëveshjen Europiane për Heqjen e Vizave për Refugjatët, të nënshkruar në Strasburg më 20 prill 1959 (ETS 31), e cila tashmë i është përcjellë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, ndërsa projektligji parashikon ratifikimin e plotë të kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare.

Sipas dokumentacionit të miratuar nga qeveria, qëllimi i marrëveshjes është lehtësimi i lëvizjes së refugjatëve përmes heqjes së detyrimit për vizë për kategoritë që përfshihen në të.

Marrëveshja ETS 31 përcakton rregulla për lehtësimin e udhëtimit të refugjatëve që zotërojnë dokumente udhëtimi të vlefshme, duke u mundësuar lëvizjen pa vizë në shtetet palë, në përputhje me kushtet e përcaktuara në dokument.

Projektligji është hartuar në mbështetje të neneve 81 dhe 100 të Kushtetutës, si dhe të ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 1 parashikohet ratifikimi i marrëveshjes së plotë, ndërsa neni 2 përcakton se ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Kështu, marrëveshja e miratuar nga qeveria Rama hyn në një fazë të re, atë të shqyrtimit parlamentar, ndërsa Shqipëria përfshihet në një tjetër proces që lidhet me politikat europiane të migracionit dhe lëvizjen e refugjatëve.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top