Rama ultimatum deputetëve socialistë para seancës: Në Kuvend pritet votimi i reformës territoriale …

Nga Redaksia – Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me grupin parlamentar të Partisë Socialiste pak para nisjes së seancës plenare të Kuvendit, ku një nga çështjet kryesore të rendit të ditës është reforma e re administrativo-territoriale.

Mbledhja e grupit socialist është zhvilluar në orët e para të mëngjesit, ndërsa në takim ka marrë pjesë edhe kryeministri Rama. Sipas raportimeve, fokusi kryesor ka qenë votimi i reformës territoriale dhe qëndrimi që deputetët socialistë do të mbajnë gjatë seancës.

Rama ka paralajmëruar deputetët se kush del nga vendimi i grupit për territorialen, përjashtohet nga PS

Reforma parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 njësive vendore. Për miratimin e projektligjit nevojiten 84 vota në Kuvend.

Në mbledhjet e mëparshme të grupit parlamentar socialist, deputetët Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj draftit. Të dy kanë votuar kundër propozimit brenda grupit, ndërsa sot pritet të shihet nëse do ta mbajnë të njëjtin qëndrim edhe në sallën e Kuvendit.

Kjo e bën votimin e sotëm një moment të rëndësishëm për mazhorancën, pasi çdo ndryshim në qëndrimin e deputetëve mund të ndikojë në llogaritjen e 84 votave të nevojshme për miratimin e reformës.

Ndërkohë, opozita e ka kundërshtuar hartën e re territoriale, ndërsa edhe përfaqësues dhe banorë të disa zonave që preken nga shkrirja e bashkive kanë shprehur kundërshtime ndaj propozimit.

Takimi i Ramës me deputetët socialistë, i zhvilluar pak para nisjes së seancës, vjen në një moment kur reforma territoriale është vendosur në qendër të debatit politik dhe pritet të jetë një nga votimet më të rëndësishme të seancës së sotme.

Tashmë vëmendja zhvendoset në sallën e Kuvendit, ku do të shihet nëse mazhoranca do të sigurojë 84 votat për të kaluar hartën e re territoriale.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top