Show apo fakt: Gjermania ul taksat e karburanteve me 17 cent për litër, por kush do të përfitojë realisht – qytetarët apo kompanitë?

Nga Redaksia – Qeveria gjermane synon të lehtësojë barrën financiare për drejtuesit e automjeteve, por mungesa e detyrimit ligjor për uljen e çmimeve ngre pikëpyetje për zbatimin e masës.

Në Gjermani ka hyrë në fuqi masa për uljen e taksave mbi karburantet, e cila synon të sjellë një ulje të çmimit me rreth 17 cent për litër. Masa do të jetë në fuqi deri në fund të vitit 2026, ndërsa nga fillimi i vitit të ardhshëm parashikohet të zbatohet një sistem me çmim tavan, pra një kufi maksimal për çmimin e karburanteve.

Megjithatë, mekanizmi i çmimit tavan ende nuk është dakordësuar mes qeverisë dhe kompanive të karburanteve.

Pyetja kryesore mbetet se kush do të përfitojë realisht nga kjo ndërhyrje: konsumatorët që paguajnë karburantin nga xhepi i tyre, apo kompanitë që operojnë në treg?

17 cent ulje, por jo garanci për konsumatorin

Qëllimi i qeverisë është që ulja e taksave të reflektohet drejtpërdrejt në pompat e karburanteve, duke lehtësuar shpenzimet e familjeve dhe të bizneseve që varen nga transporti.

Por ulja e taksave nuk do të thotë automatikisht se çmimi në tabelat e pikave të karburantit do të ulet me të njëjtën masë. Nëse kompanitë nuk e përcjellin plotësisht përfitimin fiskal te konsumatorët, një pjesë e lehtësimit mund të mbetet në marzhet e tyre të fitimit.

Për këtë arsye, vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te vendimi i qeverisë, por edhe te mënyra se si ai zbatohet në treg.

Përvoja e mëparshme ngre pikëpyetje

Një masë e ngjashme ishte zbatuar edhe gjatë verës, për një periudhë dy mujore. Sipas analizave të mëvonshme të përmendura në lidhje me atë ndërhyrje, rreth 80% e lehtësimit arriti te konsumatorët, ndërsa 20% nuk u reflektua në uljen e çmimeve për qytetarët.

Ky rezultat rikthen debatin mbi efektivitetin e politikave fiskale në tregun e karburanteve. Nëse shteti heq një pjesë të taksave me qëllimin për të ndihmuar qytetarët, por nuk siguron që përfitimi të kalojë plotësisht te blerësit, atëherë efekti real i masës mbetet më i kufizuar nga sa parashikohet.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top