Ore, si nuk rrodhën një herë të vetme dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, që të njihnim njëri-tjetrin?

Nga Shpëtim Agolli:

Në një kohë kur debati publik në Shqipëri është përqendruar te siguria kombëtare, sekretet shtetërore dhe përgjegjësia e institucioneve, lind një pyetje që shkon përtej një rasti të vetëm: a kanë qenë ndonjëherë vërtet të sigurta sekretet e shtetit shqiptar? Për vite me radhë kemi parë të dhëna personale, informacione institucionale dhe sisteme shtetërore të ekspozohen apo të komprometohen, ndërsa një pjesë e historisë sonë vazhdon të mbetet e mbyllur në dosje.

Unë nuk besoj, siç thonë disa, se është cenuar siguria kombëtare dhe se duhen vite që kjo siguri të riparohet. Nuk besoj gjithashtu se ish-shefja e SHISH ka nxjerrë sekrete shtetërore. Jo se ajo nuk ka folur, por sepse në këtë vend sekretet kanë dalë dhe kanë rrjedhur prej vitesh, në forma nga më të ndryshmet.

Mjafton të kujtojmë rastin e patronazhistëve, ku të dhëna personale të qytetarëve përfunduan në duart e personave jashtë institucioneve shtetërore. Mjafton të kujtojmë sa herë janë sulmuar dhe hakeruar sistemet informatike të institucioneve shqiptare, duke ekspozuar të dhëna që supozohej se duhej të ishin të mbrojtura.

Pra, problemi nuk është vetëm një person apo një institucion. Problemi është shumë më i madh: sa e sigurt është realisht informacioni shtetëror në Shqipëri?

Po, unë besoj se kjo zonjë është bërë palë me organizata kriminale, i ka mbrojtur dhe ka simuluar përballjen me to. Por kjo është një çështje që duhet të provohet përmes hetimeve, dokumenteve dhe fakteve.

Dhe nëse ajo ka nxjerrë qoftë edhe një sekret të klasifikuar tek të tretët, ligji nuk duhet të jetë i butë për të. Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, pavarësisht funksionit që kanë mbajtur.

Ajo që, sipas meje, e përvëlon Edi Ramën tani për tani është dëmtimi i imazhit të qeverisë së drejtuar prej tij përballë ndërkombëtarëve.

Për 13 vite me radhë janë grumbulluar ngjarje, akuza, hetime dhe skandale të ndryshme. Unë kam bindjen time se Rama ka një rol kyç në shumë prej këtyre zhvillimeve. Nëse dhe kur hetimet e SPAK-ut do të arrijnë te përgjegjësi të tjera në nivelet më të larta të pushtetit, atëherë do të jenë dosjet, provat dhe faktet ato që do të flasin.

Deri atëherë, secili duhet të mbajë përgjegjësi për atë që thotë dhe për atë që provon.

Por kam harruar edhe diçka.

Ore, si nuk rrodhën një herë të vetme dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, që të njihnim njëri-tjetrin?

Si ka mundësi që në një vend ku ndër vite kanë rrjedhur të dhëna personale, dokumente, materiale institucionale dhe informacione të klasifikuara, dosjet e një prej periudhave më të errëta të historisë së Shqipërisë nuk u bënë kurrë tërësisht të njohura për shoqërinë?

Mjaftojnë edhe ato dosje që kanë mbetur. Sepse, për fat të keq, ekziston gjithmonë dyshimi se ndër vite janë mbrojtur edhe interesa politike dhe personale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën për të kaluarën e tyre.

Ndoshta kjo është pyetja më e madhe që duhet t’i bëjmë sot shtetit shqiptar: pse disa sekrete rrjedhin kaq lehtë, ndërsa e vërteta për të kaluarën tonë vazhdon të mbetet e mbyllur në dosje?

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top