Nga Redaksia – Artistja dhe aktivistja Egla Ceno ka bërë të ditur se është kërcënuar pas fjalës së mbajtur një ditë më parë në shesh, duke deklaruar se materialet dhe mesazhi i plotë i kërcënimit janë dorëzuar pranë organeve kompetente.
Në një status të publikuar në Facebook, Ceno ka bërë të qartë se nuk tërhiqet përballë kërcënimit dhe se do të vijojë të qëndrojë në shesh për kërkesat që ajo i konsideron të drejta të qytetarëve.
“Ky është një pjesë nga kërcënimi pas fjalës time dje në shesh. Materialet dhe kërcënimi i plotë janë në dorë të organeve kompetente”, shkruan Ceno.
Ajo vijon me një deklaratë të drejtpërdrejtë:
Mesazhi im është vetëm ky: unë nuk kam frikë! As si grua, as si artiste, as si qytetare dhe as si burrë po të doni.
Ceno e lidh qëndrimin e saj me protestën dhe kërkesat për respektimin e të drejtave të qytetarëve, duke përmendur në mënyrë të veçantë Poliçanin dhe bashkitë e tjera.
Shqipëria e Shqiptarëve! Në shesh deri sa dinjiteti i qytetarëve të merret seriozisht, deri sa Poliçani im dhe bashkitë e tjera të dëgjohen! Deri sa Kushtetuta të respektohet nga pushtetarët!, shkruan ajo.
Në fund të reagimit, Ceno shprehet se personi që e ka kërcënuar mund të ketë probleme të rënda, por thekson se, pavarësisht kësaj, ajo duhet të marrë masa për sigurinë e saj.
Ky që kërcënon mund të jetë një i destabilizuar mendor por më duhet të tuteloj veten, shkruan Ceno.
Materialet e plota, sipas deklarimit të saj, tashmë ndodhen pranë organeve kompetente, të cilat pritet të vlerësojnë përmbajtjen e kërcënimit dhe rrethanat në të cilat ai është bërë.
Deklarata e Cenos vjen pas fjalës së saj publike në shesh dhe ndërsa ajo deklaron se do të vijojë të qëndrojë në protestë deri në momentin që, sipas saj, kërkesat e qytetarëve dhe respektimi i Kushtetutës të merren seriozisht.
© Copyright of PatriotikMedia.al

