Nga Redaksia – Deklarata e deputetit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu, për situatën e kriminalitetit në vend do të kishte ndoshta më shumë peshë nëse do të shoqërohej edhe me një reflektim për të kaluarën politike të forcës që përfaqëson.
Balliu e ka cilësuar sezonin veror si një periudhë të përshkallëzimit të kriminalitetit, duke iu referuar vrasjeve, atentateve, shpërthimeve dhe plagosjeve të ndodhura në vend. Ai ka akuzuar qeverinë për heshtje përballë pasigurisë dhe institucionet për lidhje me elementë kriminalë.
Por pyetja që lind është e thjeshtë: ku ishte kjo siguri e munguar kur Partia Demokratike ishte në qeveri? Nëse sot Balliu thotë se asgjë nuk ka ndryshuar, atëherë kjo kritikë kthehet edhe në një bilanc për qeverisjet e mëparshme të PD-së.
Sepse kriminaliteti nuk është shpikur sot dhe qytetarët kanë kujtesë.
Edhe më interesante bëhet deklarata se PD do ta ketë prioritet rikthimin e sigurisë përmes pastrimit të Policisë së Shtetit, ndëshkimit të zyrtarëve të lidhur me krimin dhe zbatimit të ligjit antimafia.
Mirë tingëllon si premtim politik. Por pyetja është: a besojnë më shqiptarët te këto premtime?
Balliu dhe PD-ja kanë përballë një problem më të madh se propaganda politike. Është besueshmëria. Kur një parti kërkon votën duke premtuar pastrimin e institucioneve dhe luftën kundër krimit, duhet së pari të bindë qytetarët se ajo vetë ka bërë një bilanc të ndershëm të së kaluarës së saj.
Dhe këtu nis ironia.
Kush do t’ia japë votën Balliut për këtë mision? Një parti që ende mban në krye Sali Berishën, i cili u rizgjodh në krye të PD-së pa një rival në garë, nuk mund të sillet sikur po vjen për herë të parë në politikë për të shpëtuar shqiptarët nga problemet që ajo vetë i ka premtuar se do t’i zgjidhë prej vitesh.
Prandaj, para se të flitet për rikthim të sigurisë, ndoshta duhet folur për rikthim të besimit.
Sepse shqiptarët nuk votojnë më vetëm me premtime. I kanë dëgjuar ato për vite me radhë.
Ndaj, o Balli, më pak ëndrra politike dhe më shumë realitet. Nëse mendon se PD-ja do të rikthehet në pushtet vetëm duke përsëritur të njëjtat deklarata, ndoshta duhet ta mendosh edhe një herë.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

