Nga Baki Goxhaj:
Z. Ilir Dedaj!
Unë jam Baki Goxhaj, personi të cilin e preke me gisht në kraharor, me akuzën se po shtyja flamurin, ndërkohë që po menaxhoja turmën.
Unë të akuzoj publikisht për përdhosje të flamurit, duke e përdorur atë si mjet censure ndaj personave që nuk të pëlqejnë personalisht. Sado që flet në emër të “ne”-së, ti flet vetëm në emrin tënd. Nëse grupi koordinues ka diçka për të thënë për këtë çështje, le të dalë me një deklaratë publike. Gishtin për tërheqjen e flamurit duhet ta drejtosh vetëm nga vetja!
Sipas Goxhajt, qëndrimi i Dedajt krijon një përplasje të drejtpërdrejtë mbi mënyrën se si duhet të funksionojë protesta dhe mbi të drejtën e çdo qytetari për të shprehur qëndrimin e tij.
“Është e qartë që ty të duket vetja më patriot se ne të tjerët dhe me këtë i jep të drejtë vetes t’u heqësh shqiptarëve të tjerë të drejtën e fjalës, por është pikërisht kjo që ne nuk duam të jetë pjesë e Shqipërisë së re. Diktatura e çdo lloji s’ka vend në Shqipërinë që duam të nderojmë bashkërisht”, shprehet ai.
Më poshtë mund të lexoni:
Goxhaj sqaron gjithashtu se Flotilja kishte, sipas tij, një mision të përcaktuar qartë dhe të bërë publik: mbështetjen pa kushte të Revolucionit të Flamingove.
“Flotilja ka ndërmarrë këtë mision me ftesë të një pjese të diasporës shqiptare, të cilëve ti dhe bashkëpunëtorët e tu u hoqët të drejtën e fjalës padrejtësisht”, deklaron Goxhaj.
Si një nga koordinatorët lokalë të misionit të Flotiljes, ai kundërshton me tone të forta çdo akuzë për përçarje apo futje të agjendave të huaja në protestë.
“Unë kam qenë pjesë aktive e protestës që nga dita e Zvërnecit, nga ku filloi gjithçka. Kam qenë mbështetës, bashkëpunues dhe kam mbrojtur publikisht dhe privatisht grupin koordinues të protestës nga dita e parë e deri dje”, thotë Goxhaj.
Ai pretendon se ka qenë pjesë e mbledhjes themeluese të grupit koordinues, por më pas nuk është përfshirë në përbërjen e tij, pa marrë, sipas tij, një sqarim për këtë ndryshim.
“Megjithatë, mbështetja dhe bashkëpunimi im ka qenë i plotë dhe pa kushte”, thekson ai.
Në fund të reagimit të tij, Baki Goxhaj deklaron se marrëdhënia e tij me Ilir Dedajn dhe me grupin koordinues ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme.
“Unë jam fyer, përçmuar dhe prerë në besë nga ju! Po ta them nga larg, por do ta them edhe nga afër, që i keni shkelur në kallo personit të gabuar”, shprehet Goxhaj.
Ai kërkon publikisht falje nga Ilir Dedaj dhe nga anëtarët e grupit koordinues që, sipas tij, kanë qenë dakord me vendimin për t’i hequr të drejtën e fjalës diasporës së Flotiljes.
“Unë, Baki Goxhaj, nuk pres asgjë më pak sesa kërkim faljeje nga ty personalisht dhe nga anëtarët e grupit koordinues që kanë qenë dakord që t’i hiqet e drejta e fjalës diasporës së Flotiljes.
Shihemi në shesh!”
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

