Nga Redaksia – Prej gati tre muajsh, Visuar Dalipaj, i njohur në rrjetet sociale si ‘Banka e Fundit’, është kthyer në një problem serioz për protestën në bulevardin e Tiranës. Bashkë me njerëzit që e shoqërojnë, ai është përfshirë vazhdimisht në provokime, tensione dhe dhunë verbale ndaj protestuesve, deri dje, kur situata degradoi në përplasje fizike. Madje ka qenë ai që i ka dërguar njerëzit drejt Aeroportit të Riansit dhe selive të partive. Kjo duhet të marrë fund!
Protesta nuk mund të mbahet peng nga një grusht njerëzish që kërkojnë konflikt. Provokatorët duhet të izolohen dhe të largohen nga protesta. Jo me dhunë, por me refuzimin e prerë të gjithë protestuesve për t’u dhënë hapësirë. Sepse kush provokon dhunë në këtë protestë, me vetëdije po çon ujë drejtpërdrejt në mullirin e Edi Ramës.
Si ka mundësi që Taulant Balla, i cili deri dje shpallte “trafikant”, “kriminel” e “ekstremist” këdo që ngrinte zërin kundër qeverisë, nuk ka thënë kurrë asnjë fjalë për njerëzit që prej javësh provokojnë protestuesit?
Si ka mundësi që kamerat e mediave të oborrit, që nuk thonë asnjë fjalë për protestën, shfaqen gjithmonë për të na treguar titullin perfekt për propagandën e qeverisë: “Përplasje mes dy grupeve të protestuesve”?
Kush përfiton nga kjo? Edi Rama dhe oligarkët!
Protesta zhduket nga lajmi. Kërkesat e saj zhduken. Oligarkia zhduket. Zvërneci zhduket. Sazani zhduket. Ligjet që po grabisin pasurinë publike zhduken. Dhe në ekran mbeten vetëm grushtet.
Prandaj duhet bërë edhe pyetja që pushteti nuk dëshiron të dëgjojë: A ekziston ndonjë lidhje mes këtyre provokimeve dhe strukturave shtetërore? A po tolerohen këta njerëz? A po përdoret ndaj tyre shantazhi me dosje? A po paguhet apo koordinohet dikush për ta çuar protestën drejt konfliktit?
Sepse historia është plot me raste kur pushtetet kanë përdorur pikërisht njerëz të tillë.
Prandaj askush të mos na kërkojë të mbyllim sytë kur në një protestë paqësore shfaqen vazhdimisht të njëjtët njerëz, krijohen provokime, shpërthen konflikti dhe në fund përfituesi politik është gjithmonë pushteti.
Edi Rama, larg duart nga protesta!
Tërhiq çdo strukturë, çdo ndërmjetës dhe çdo provokator që mund të jetë duke vepruar për llogari të pushtetit.
Ndërsa protestuesit duhet të jenë të prerë: izolojini politikisht provokatorët, dokumentoni çdo provokim dhe mos u jepni dhunën që kërkojnë.
Kjo protestë nuk do të shkatërrohet nga brenda.
Nuk do të përçahet.
Nuk do të trembet.
Dhe nuk do t’i falet Edi Ramës.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

