Nga Redaksia – Vizita e kryeministrit Edi Rama në Theth është shoqëruar me tensione dhe debate të forta mes vetë banorëve, të cilët vijojnë të shprehin pakënaqësi për situatën e krijuar pas prishjeve të objekteve dhe problemeve që, sipas tyre, mbeten ende pa zgjidhje.
Sipas komunikimeve një grup të operatorëve turistikë të zonës, banorët kanë diskutuar ashpër mbi mënyrën e organizimit të takimit me kryeministrin. Një pjesë e tyre kërkon që në takim të marrin pjesë të gjithë banorët e Thethit, ndërsa jo vetëm një grup i përzgjedhur.
Në mesazhet e publikuara, banorët rendisin një sërë shqetësimesh që dëshirojnë t’ia paraqesin kryeministrit, duke përmendur dëmet e shkaktuara nga prishjet, mungesën e dokumentacionit të pronësisë, problemet me tapitë, energjinë elektrike, gjendjen e rrugës dhe vështirësitë për pajisjen me leje ndërtimi.
Një prej tyre propozon edhe një formë simbolike proteste, duke sugjeruar që gjatë vizitës të ndizen të gjithë gjeneratorët për t’i treguar kryeministrit zhurmën dhe vështirësitë me të cilat përballen prej muajsh. Të tjerë propozojnë që të ekspozohen gurët dhe tullat e banesave të prishura si dëshmi e dëmeve të pësuara.
Debati është intensifikuar edhe më tej pasi disa banorë pretendojnë se nuk janë njoftuar zyrtarisht për vizitën dhe nuk janë ftuar në takim.
Në reagimet e tyre, ata kritikojnë mungesën e informimit dhe shprehen se, pas dëmeve të pësuara dhe problemeve të vazhdueshme, një takim i kufizuar me një numër të vogël personash nuk përfaqëson interesat e gjithë komunitetit.
Në grup nuk kanë munguar as reagimet e ashpra ndaj banorëve që kanë zgjedhur të marrin pjesë në takimin me kryeministrin. Disa komente përmbajnë akuza dhe fyerje ndaj tyre, duke i cilësuar si mbështetës të qeverisë, ndërsa të tjerë bëjnë thirrje për protesta dhe bllokimin simbolik të rrugës gjatë vizitës.
Sipas informacioneve të publikuara, në takimin me Edi Ramën është ftuar vetëm një grup i caktuar banorësh, gjë që ka shtuar pakënaqësinë e pjesës tjetër të komunitetit, e cila kërkon të ketë mundësinë të shprehë drejtpërdrejt shqetësimet për problemet që, sipas tyre, vazhdojnë të rëndojnë mbi jetën dhe zhvillimin e Thethit.
Vizita zhvillohet në një klimë të tensionuar, ku një pjesë e banorëve kërkojnë dialog të hapur dhe zgjidhje konkrete për çështjet e pazgjidhura, ndërsa të tjerë kanë paralajmëruar forma proteste për të bërë të dëgjueshëm zërin e tyre.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

