Nga Redaksia – Kosova i ka ndaluar përgjithmonë hyrjen në territorin e saj ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, pasi autoritetet e Prishtinës e shpallën atë person të padëshirueshëm.
Lajmin e bëri të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili theksoi se vendimi u mor pas deklaratave të ministres serbe, të cilat u cilësuan si nxitje e urrejtjes dhe justifikim i spastrimit etnik.
Sipas Sveçlës, Paunoviç kishte deklaruar pak ditë më parë se, nëse do të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Për këtë arsye, autoritetet e Kosovës vendosën t’i ndalojnë hyrjen dhe kalimin në territorin e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, deklaratat e ministres kanë shkaktuar reagime të forta edhe në Serbi. Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Paunoviçit, duke e akuzuar për përdorim të gjuhës së urrejtjes dhe promovim të retorikës shoviniste.
Sipas PSG-së, deklarata e saj përbën një mbështetje të vetëdijshme të persekutimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. Organizata thekson se edhe sqarimi i mëvonshëm i ministres, sipas të cilit ajo kishte nënkuptuar dëbimin e shqiptarëve në “vendin e tyre të origjinës”, nuk e zbut aspak peshën e deklaratës, por përkundrazi e konfirmon atë.
PSG shprehu gjithashtu shqetësim për deklarata të tjera të Paunoviçit, të cilat, sipas tyre, paraqesin shqiptarët në mënyrë raciste dhe fyese, duke nxitur ndasi etnike dhe duke rrezikuar përkeqësimin e marrëdhënieve në rajon.
Vendimi i Kosovës për shpalljen “non grata” të ministres serbe pritet të shtojë më tej tensionet politike mes Prishtinës dhe Beogradit, në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve vijojnë të mbeten të brishta.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

