Nga Redaksia – Qeveria gjermane, e udhëhequr nga kancelari Friedrich Merz, po përgatit një tjetër goditje për qytetarët. Këtë herë në shënjestër janë miliona duhanpirës, të cilët pritet të paguajnë gjithnjë e më shtrenjtë për një paketë cigaresh.
Sipas dokumenteve të Ministrisë Federale të Financave, çmimi i një pakete me 20 cigare mund të arrijë në afro 12 euro deri në vitin 2030, si pasojë e rritjes së vazhdueshme të taksës së duhanit. Rritja do të prekë jo vetëm cigaret tradicionale, por edhe purot, duhanin e pipës dhe lëngjet për cigaret elektronike.
Qeveria e justifikon këtë vendim me argumentin e mbrojtjes së shëndetit publik. Megjithatë, kritikët e shohin masën si një mënyrë për të mbushur boshllëqet e buxhetit federal në kurriz të qytetarëve. Vetë dokumentet parashikojnë se nga kjo skemë shteti do të arkëtojë qindra miliona euro shtesë çdo vit, duke arritur deri në rreth 3.6 miliardë euro në vitin 2030.
Për shumë gjermanë, kjo është një tjetër barrë financiare që i shtohet kostos së lartë të jetesës, çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe taksave. Ndërsa qeveria flet për politika shëndetësore, qytetarët shohin një realitet tjetër: çdo vit paguajnë më shumë për të njëjtat produkte, ndërsa shteti mbush arkën e tij.
Vendimi pritet të ndezë debat në Gjermani, pasi kundërshtarët e konsiderojnë rritjen e vazhdueshme të taksave si një politikë që rëndon drejtpërdrejt familjet dhe shtresën e mesme, në një kohë kur presioni ekonomik mbetet i lartë.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

