Nga Redaksia – Gazetari amerikan Tucker Carlson ka përdorur Shqipërinë si shembull gjatë një podcasti, teksa kritikoi projektet e mëdha të zhvillimit turistik të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Carlson e krahasoi modelin e zhvillimit të parashikuar për disa zona bregdetare shqiptare me idetë për rindërtimin e Gazës pas luftës, duke shprehur shqetësimin se projekte të tilla mund të ndryshojnë rrënjësisht karakterin e këtyre zonave.
Sipas tij, modeli që po promovohet synon ndërtimin e hoteleve luksoze, resorteve turistike dhe kazinove, ndërsa natyra dhe interesat e komuniteteve lokale mbeten në plan të dytë.
“Po flasin për ta kthyer Gazën në një rivierë. Kjo është ajo që po ndodh në Shqipëri. Nëse mund ta bëjnë këtë në Shqipëri, mund ta bëjnë edhe në Gaza,” u shpreh Carlson gjatë podcastit.
Deklarata e gazetarit amerikan vjen në një kohë kur projektet e investimeve turistike të Jared Kushner në Shqipëri kanë ngjallur debat, si brenda vendit ashtu edhe në mediat ndërkombëtare, për ndikimin e tyre në mjedis, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e zonave bregdetare.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

