The New York Times: Ishulli shqiptar që mahniti Ivanka Trump, por që fsheh edhe anën e tij të egër …

Nga Redaksia – Ishulli i Sazanit është rikthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pas një artikulli të publikuar nga The New York Times, ku gazetari Andrew Higgins përshkruan bukurinë natyrore të ishullit, por edhe sfidat që ai paraqet për këdo që e viziton.

Në artikull përmendet edhe rrëfimi i Ivanka Trump, e cila ka deklaruar në një podcast se e kishte “zbuluar” ishullin e Sazanit gjatë një udhëtimi me miq. Sipas saj, ajo kishte notuar nga një varkë deri në ishull dhe kishte ecur zbathur deri në majën e tij, një përvojë që e kishte lënë të mahnitur nga natyra.

Megjithatë, The New York Times vë në dyshim këtë përshkrim, duke theksuar se terreni i Sazanit është mjaft i ashpër. Gazeta shkruan se ishulli është i mbuluar me shkurre të dendura, ka ende zona ku gjenden mina të vjetra, ndërsa toka është shkëmbore dhe plazhet janë me gurë, gjë që e bën të vështirë ecjen zbathur. Në artikull përmendet gjithashtu prania e gjarpërinjve, përfshirë specie helmuese.

Pavarësisht këtyre vështirësive, gazeta amerikane e përshkruan Sazanin si një nga perlat natyrore të Mesdheut. Ujërat e kristalta me ngjyrë bruz, vegjetacioni mesdhetar dhe qetësia që mbizotëron në ishull krijojnë një peizazh të veçantë që vazhdon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve dhe investitorëve.

Artikulli kujton se Sazani është aktualisht i pabanuar, me përjashtim të një numri të vogël ushtarakësh shqiptarë që shërbejnë në ishull. Ndryshe nga bregdeti përballë, ku turizmi është zhvilluar me ritme të shpejta, Sazani ka ruajtur karakterin e tij të egër dhe mbetet një vend i qetë, larg zhurmës së zonave turistike.

Interesi për ishullin është shtuar edhe për shkak të planeve të raportuara për zhvillimin e një resorti luksoz nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump, një projekt që ka nxitur debat publik në Shqipëri mes atyre që e shohin si mundësi për investime dhe zhvillim ekonomik dhe atyre që kërkojnë mbrojtjen e pasurisë natyrore dhe historike të ishullit.

Artikulli i The New York Times e përshkruan Sazanin si një destinacion që ndërthur bukurinë e rrallë natyrore me historinë ushtarake dhe sfidat që vijnë nga izolimi i tij shumëvjeçar, duke e cilësuar një vend që vazhdon të ngjallë kuriozitet në arenën ndërkombëtare.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top