VIDEO: Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e tretë – Qytetarët përballë qeverisë, Rama ndryshon qëndrim brenda 24 orësh …

Nga Redaksia – Protesta për mbrojtjen e Zvërnecit ka vijuar edhe këtë të martë në Tiranë, ku qytetarë, aktivistë dhe mbështetës të kauzës janë mbledhur për të tretën ditë radhazi kundër projektit që prek zonën e mbrojtur natyrore të Zvërnecit.

Tubimi nisi në Sheshin Skënderbej, ndërsa më pas protestuesit marshuan drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas përpara godinës së Kryeministrisë. Pjesëmarrësit mbanin pankarta me mesazhe në mbrojtje të mjedisit, kundër betonizimit dhe shitjes së pasurive publike, ndërsa gjatë fjalimeve në podium u kërkua shfuqizimi i ligjit për investimet strategjike dhe i ashtuquajturës “paketa e maleve”.

Momente tensioni u regjistruan përpara Kryeministrisë, ku disa protestues çanë kordonin e policisë të vendosur në hyrje të institucionit. Situata krijoi përplasje verbale dhe shtoi më tej klimën e acaruar politike që po shoqëron çështjen e Zvërnecit.

Gjatë protestës, një pjesë e qytetarëve kërkuan edhe dorëheqjen e qeverisë, duke deklaruar se mobilizimi nuk do të ndalet vetëm tek Zvërneci, por do të vijojë për mbrojtjen e të gjitha zonave të mbrojtura natyrore në Shqipëri.

Ndërkohë, vëmendjen më të madhe e ka marrë ndryshimi i menjëhershëm i qëndrimit të kryeministrit Edi Rama lidhur me projektin e debatueshëm në Zvërnec.

Vetëm një ditë më parë, Rama deklaroi se nëse qytetarët nuk e duan projektin, atëherë ai mund të mos realizohet, duke u përpjekur të japë sinjalin e një qasjeje dialogu dhe dëgjese ndaj komunitetit.

Por vetëm pak orë më vonë, kreu i qeverisë përdori një gjuhë krejt tjetër. “Sa të jem unë, nuk ka shans”, u shpreh Rama, duke lënë të kuptohet se kundërshtimet qytetare nuk do të ndikojnë në vendimmarrjen e tij për projektin.

Ky ndryshim i menjëhershëm i tonit ka shtuar edhe më shumë dyshimet dhe zemërimin mes protestuesve, të cilët kërkojnë transparencë të plotë për projektin dhe ndalimin e çdo vendimi që, sipas tyre, cenon interesin publik dhe pasuritë natyrore të vendit.

Protestat vijnë vetëm pak ditë pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara në terren, ndërsa kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec duket se po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha në opinionin publik.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *