Nga Redaksia – Në Zvërnec, aty ku pyjet e pishave takojnë lagunën e Nartës dhe ku natyra kishte mbetur një nga pasuritë më të rralla të Shqipërisë, sot dëgjohen zhurmat e fadromave, kamionëve dhe makinerive të rënda.
Që prej 26 prillit, zona e njohur si “Hidrovori” është kthyer në një kantier të heshtur, ku ndërhyrjet po zhvillohen mes mungesës totale të transparencës dhe përgjigjeve burokratike të institucioneve.
Në letër, zona “Pishë Poro-Nartë” është territor i mbrojtur. Në praktikë, ajo duket si një hapësirë pa zot, ku mund të hyjnë kompani të huaja, struktura offshore dhe interesa të fuqishme ekonomike, ndërsa shteti shqiptar kufizohet vetëm me deklarata të tipit: “po monitorojmë”, “po verifikojmë”, “po presim dokumentacionin”.
Por dokumentet zyrtare të QKB-së tregojnë një histori krejt tjetër.
Kush qëndron pas kompanive?
Trualli i rrethuar rezulton të zotërohet nga kompania “Albania Land Development”, ku aksioneri kryesor përmendet Mohamed Moataz Ruslan Alkhayat.
Në dokumentacion rezulton se për një periudhë kohe si pronar përfitues ka qenë edhe Redi Struga, inxhinier dhe zotërues i kompanisë “InfraKonsult”, e njohur për përfshirjen në projektimin e disa rrugëve në Shqipëri, përfshirë edhe segmentin problematik në Librazhd që u shemb pak muaj më parë.
Struga shfaqet si pronar përfitues në të paktën nëntë kompani të tjera, çka tregon se projekti nuk është thjesht një investim i largët i kapitalit të huaj, por një ndërthurje interesash lokale dhe ndërkombëtare.
“Albania Land Development” lidhet si person juridik me një tjetër kompani: “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka aplikuar për leje zhvillimi dhe ndërtimi resorti me struktura deri në 8 kate në zonën e “Hidrovorit”.
Në këtë kompani dalin si pronarë përfitues dy shtetas të huaj:
- Nikita Maximovich Vinogradov, rus i natyralizuar si holandez.
- Zoya Georgieva Gyurova, shtetase bullgare me profil të ulët publik, por me lidhje në struktura ligjore në Holandë.
Të dy rezultojnë të lidhur me zyrën ligjore “Strik” në Holandë dhe me struktura “trust”-esh holandeze, të përdorura shpesh për optimizim fiskal dhe fshehje të pronarëve realë.
Guaskat holandeze dhe rrjeti i kompanive
Emrat e Vinogradov dhe Gyurova dalin në të paktën 12 kompani të tjera në Shqipëri, në sektorë strategjikë si:
- farmaceutika,
- energjetika,
- hoteleria,
- shërbimet spitalore.
Mes emrave të lidhur me këtë rrjet përmendet edhe Klodian Allajbeu dhe Spitali Amerikan.
Formalisht, nuk provohet asgjë e jashtëligjshme. Por modeli është tipik për skema që krijojnë “mburoja ligjore” për investime të ndjeshme dhe me interes të lartë ekonomik.
Dhe pikërisht ky model duhej të shmangej në një zonë të mbrojtur si Zvërneci.
Lidhjet me Katarin dhe hijet ndërkombëtare
Një tjetër emër që ngre pikëpyetje është Mohamed Al Khayyat, sipërmarrës sirian me bazë në Katar, i njohur ndërkombëtarisht si Moutaz Al Khayyat.
Emri i tij është përmendur edhe nga “New York Times” në lidhje me projekte infrastrukturore dhe rrjete të fuqishme ekonomike në Lindjen e Mesme, deri pranë qarqeve të Shtëpisë së Bardhë.
Nëse bëhet fjalë për të njëjtin person dhe rrjetin e tij familjar, atëherë Zvërneci nuk është më thjesht një projekt turistik lokal. Bëhet fjalë për hyrje kapitalesh të nivelit të lartë ndërkombëtar në një nga zonat më sensitive të bregdetit shqiptar.
Dhe pyetja lind natyrshëm:
Pse gjithë kjo fshehtësi?
Pse ky shtresëzim kompanish, trustesh dhe strukturash offshore për një projekt që pretendohet se është zhvillim turistik?
Institucionet heshtin, punimet vazhdojnë
AKZM ka konfirmuar se kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka kërkuar të kryejë studime gjeologjike.
Nga ana tjetër, IKMT pretendon se punimet e rrethimit dhe rrugëve të aksesit po kryhen mbi bazën e një vendimi të KKTU-së, vendim që ende nuk është bërë publik.
Por problemi më i madh është se vetë zona e mbrojtur “Pishë Poro-Nartë” nuk ka plan menaxhimi në fuqi.
Kjo do të thotë se praktikisht nuk ekziston një dokument real që përcakton kufijtë dhe mënyrat e ndërhyrjes në territor.
Në këto kushte, edhe gropat për sondazhe testuese mund të kthehen nesër në themele resortesh gjigante.
Sepse askush nuk duket se i ndalon.
Hija e Jared Kushner dhe precedentët e rrezikshëm
Që prej fillimit është përfolur se ndërhyrja lidhet me projektet e propozuara nga Jared Kushner për Sazanin dhe Zvërnecin.
Por ndryshe nga Sazani, ku negociatat dhe përfaqësuesit janë bërë publikë, në Zvërnec nuk ka:
- status strategjik të shpallur,
- aplikim transparent në AIDA,
- prezantim publik të projektit final,
- konsultim me komunitetin.
Kjo e bën situatën edhe më problematike.
Sepse ajo që po ndodh në Zvërnec nuk është thjesht histori ndërtimesh. Është modeli shqiptar i zhvillimit në errësirë:
fillimisht jepen leje të pjesshme, më pas futen nënkontraktorë, nisin punimet reale dhe institucionet bëjnë sikur “po verifikojnë”.
Ndërkohë zonat e mbrojtura copëtohen pjesë-pjesë.
Shqipëria që po humbet bregdetin
Nëse historia e Zvërnecit nuk zbardhet deri në fund, precedenti është tepër i rrezikshëm.
Sot është Pishë Poro-Narta.
Nesër mund të jetë çdo cep tjetër i bregdetit shqiptar.
Dhe ndërsa shqiptarët humbin tokën, qasjen dhe pronën e tyre historike, pronarët e vërtetë do të vazhdojnë të fshihen pas guaskave holandeze, duke shijuar luksin në Doha, Dubai apo parajsa të tjera fiskale.
Ndërsa Shqipëria mbetet vetëm territori ku grabitja legalizohet me heshtje shtetërore.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
