OPINION: Berisha në Opozitë, Rama në Pushtet… po ndryshimi ku është?

Nga Redi Minga:

Ka disa njerëz që sapo prek emrin e Sali Berisha dhe e krahason me Edi Rama, hidhen menjëherë përpjetë me të njëjtën frazë:

“Çfarë thua o patronazhist? Sali Berisha ka 16 vite në opozitë, vendin e drejton Rama!”

Dhe këtu lind pyetja më e thjeshtë:

Po çfarë ndryshon realisht mes Rilindjes së Ramës dhe opozitës së Berishës?

Sepse shqiptari i zakonshëm nuk e mat politikën me konferenca shtypi, statuse Facebook-u apo emisione televizive. E mat me jetën e përditshme, me xhepin bosh, me largimin e të rinjve, me korrupsionin dhe me zhgënjimin që është bërë normalitet kombëtar.

Po, ka një ndryshim mes tyre…

Edi Rama grabit shqiptarët si kompani e madhe, me koncesione, PPP, oligarkë dhe tendera miliardash.

Ndërsa Sali Berisha i grabit si kioskaxhi politik, sepse prej vitesh ndodhet në opozitë dhe nuk ka më në dorë “supermarketin” e pushtetit.

Njëri të merr milionat me firmë qeverie, tjetri të shet revolucion çdo katër vite për të mbajtur gjallë një opozitë që shpesh duket më shumë si dekor sesa alternativë reale.

Në fund, populli mbetet sërish klienti i mashtruar i të njëjtit sistem politik që ndërrojnë rolet, por jo mënyrën e të bërit politikë.

Dhe ironia më e madhe është se sa herë kritikon njërin, të quajnë me tjetrin.

Nëse flet kundër Ramës, je “berishist”.
Nëse flet kundër Berishës, je “patronazhist”.

Pra në Shqipëri nuk lejohet të jesh qytetar i lirë. Duhet patjetër të jesh ushtar i njërës palë.

Por shqiptarët sot nuk kanë më nevojë për tifozë politikë.
Kanë nevojë për drejtësi, për shtet dhe për politikanë që nuk e shohin Shqipërinë si plaçkë personale.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *