SHBA drejt kontrollit total të energjisë europiane? Lavrov paralajmëron planin që kërcënon Rusinë nga Veriu deri në Kaukaz …

Nga Redaksia – Nga analiza e fundit e Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, del qartë se beteja globale për energjinë nuk është më vetëm ekonomike, por një luftë gjeopolitike për dominim total mbi Europën dhe rrethimin strategjik të Rusisë.

Në një intervistë të gjatë për median indiane RT India, para takimit të ministrave të Jashtëm të BRICS-it, Lavrov deklaroi se Shtetet e Bashkuara po ndërtojnë një mekanizëm afatgjatë për të marrë kontrollin e plotë të tregut energjetik europian, duke përjashtuar Rusinë dhe duke e kthyer Bashkimin Europian në një vasal energjetik të Uashingtonit.

Sipas Lavrovit, SHBA nuk është mjaftuar vetëm me sanksionet ndaj energjisë ruse. Administrata amerikane, edhe pas rikthimit të Donald Trumpit në pushtet, vazhdoi presionin ndaj gjigantëve energjetikë rusë si Rosneft dhe Lukoil, ndërsa paralelisht po kontrollon edhe eksportet e naftës venezueliane pas krizës Maduro.

Por kriza më e madhe, sipas Moskës, u krijua pas destabilizimit të Lindjes së Mesme dhe Luftës së Tretë të Gjirit, e cila shkaktoi tronditje në furnizimin energjetik të Europës. Kjo mungesë energjie po përdoret nga SHBA si mjet për të zëvendësuar gazin dhe naftën ruse me energji amerikane shumë më të shtrenjtë.

Lavrov hodhi edhe një tjetër “bombë” politike, duke deklaruar se amerikanët synojnë të marrin kontrollin e tubacioneve Nord Stream, të cilat u sabotuan në Detin Baltik. Sipas tij, plani është që infrastruktura të blihet me çmime simbolike dhe më pas tregu europian të kontrollohet tërësisht nga kompanitë amerikane.

Ai paralajmëroi gjithashtu se SHBA kërkon të kontrollojë edhe tubacionin e gazit që kalon nga Ukraina drejt Europës, duke vendosur nën dominim çdo rrugë strategjike energjetike të kontinentit.

Sipas analizës ruse, kjo strategji nuk ka vetëm objektiv ekonomik. Nëse SHBA kontrollon energjinë europiane, atëherë kontrollon automatikisht edhe politikën e jashtme të Bashkimit Europian. Kjo do të thotë se vendimet strategjike të Europës nuk do të merren më në Berlin, Paris apo Bruksel, por në Uashington.

Lavrov paralajmëron se ky proces po shoqërohet edhe me transformimin e NATO-s në një strukturë të re ushtarake, të cilën analistët rusë e quajnë “NATO 3.0”, me synimin për të krijuar një “kordon sanitar” rreth kufijve perëndimorë dhe jugorë të Rusisë.

Në veri dhe perëndim, ky bllok do të përfshinte Finlandën, shtetet baltike, Poloninë, Ukrainën dhe Rumaninë, ndërsa në jug përmenden Turqia, Armenia, Azerbajxhani dhe potencialisht Kazakistani.

Një tjetër element kritik është projekti i Korridorit Vertikal të Gazit dhe planet për tubacionin Trans-Kaspik, të cilat sipas Moskës do të dobësojnë lidhjet ruso-turke dhe do të rrisin rivalitetin strategjik mes Ankarasë dhe Kremlinit.

Në thelb, Rusia sheh një plan afatgjatë amerikan për izolimin ekonomik, energjetik dhe ushtarak të saj. Sipas Lavrovit, nëse Moska nuk arrin ta ndalë këtë proces, atëherë në të ardhmen mund të përballet jo vetëm me kërcënime ekonomike, por edhe me përballje direkte gjeopolitike dhe ushtarake.

Bota po hyn në një fazë të re të luftës së ftohtë energjetike, ku gazi, nafta dhe tubacionet po shndërrohen në armët më të fuqishme të shekullit XXI.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *