Nga Redaksia – Deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama kanë nxjerrë zbuluar një realitet që propaganda e “Pasaportës Europiane” është përpjekur ta fshehë prej vitesh: Shqipëria nuk po ecën drejt Bashkimit Europian falë reformave dhe standardeve të arritura, por vetëm falë zhvillimeve gjeopolitike dhe frikës që ka kapluar Europën pas luftës në Ukrainë.
Në një intervistë të fundit, Rama pranoi hapur se anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk ishte realist deri pas sulmit rus ndaj Ukrainës. Me fjalë të tjera, sipas vetë kryeministrit shqiptar, procesi nuk po përshpejtohet sepse Shqipëria ka ndërtuar shtet ligjor, ekonomi funksionale apo institucione demokratike, por sepse Europa po kërkon të blindojë Ballkanin përballë ndikimeve ruse dhe krizave të sigurisë.
Kjo deklaratë rrëzon të gjithë narrativën shumëvjeçare të Rilindjes, e cila ua ka shitur shqiptarëve “integrimin” si sukses historik të qeverisë. Në realitet, vetë Rama po pranon se Shqipëria nuk po afrohet me Europën për meritë, por për interes strategjik të Brukselit.
Kur Rama thotë se “anëtarësimi është realist tani, por nuk ishte deri në sulmin ndaj Ukrainës”, ai në fakt pranon se qeverisja e tij nuk ka përmbushur standardet që BE ka kërkuar prej vitesh.
Shqipëria vazhdon të renditet ndër vendet më të korruptuara në Europë, me emigracion masiv, ekonomi të dobët, kapje të institucioneve dhe një drejtësi që akuzohet çdo ditë për përdorim politik. Megjithatë, në vend që të flasë për përmbushjen e kushteve, Rama e lidh fatin europian të vendit me Vladimir Putinin dhe krizën ukrainase.
Kjo është hera e parë që një kryeministër shqiptar e thotë kaq hapur se procesi i integrimit nuk lidhet më me standarde, por me interesa gjeopolitike.
Edhe më tronditëse ishte deklarata e Ramës se Shqipëria mund të heqë dorë nga e drejta e vetos dhe madje nga komisioneri i saj europian për të përshpejtuar hyrjen në BE.
Kjo do të thotë se Shqipëria do të hynte në një Europë ku vendet e vogla do të kishin më pak peshë dhe më pak sovranitet në vendimmarrje.
Rama e justifikon këtë me argumentin se Europa nuk mund të funksionojë me “27, 33 apo 35 veto”, por kritikët e shohin këtë si një pranim të gatishmërisë për të sakrifikuar zërin kombëtar vetëm për të marrë një fitore politike dhe propagandistike.
Në vend që të kërkojë barazi për Shqipërinë brenda familjes europiane, Rama duket i gatshëm të pranojë një rol periferik, vetëm për të shpallur “fitoren” e integrimit.
Deklaratat më të debatueshme të Ramës lidhen me Rusinë. Ai kritikoi faktin që Europa ka ndërprerë dialogun me Moskën, duke thënë se “Rusia nuk do të shkojë askund” dhe se Europa duhet të flasë me të.
Madje, ai solli si shembull faktin se Izraeli dhe Hamasi “flisnin gjatë gjithë kohës” edhe gjatë konfliktit.
Këto deklarata kanë ngritur pikëpyetje të forta nëse Rama po përpiqet të ndërtojë profilin e një lideri “globalist pragmatist”, i gatshëm të lëvizë sipas interesave ndërkombëtare dhe jo sipas vijës tradicionale euroatlantike që Shqipëria ka mbajtur prej dekadash.
Në intervistë, Rama kritikoi edhe Bashkimin Europian për faktin se ia ka lënë Shteteve të Bashkuara negociatat me Rusinë, duke deklaruar se Europa “nuk mund ta delegojë ekzistencën dhe pozicionin e saj në botë”.
Për vite me radhë, propaganda e qeverisë e ka paraqitur integrimin si shpërblim për reformat dhe sukseset e Shqipërisë. Por sot vetë Rama po thotë se gjithçka varet nga lufta, Rusia, Ukraina dhe interesat strategjike të fuqive të mëdha.
Kjo do të thotë se “Pasaporta Europiane” nuk po ndërtohet mbi meritokraci dhe standarde demokratike, por mbi frikën gjeopolitike të Europës për Ballkanin.
Dhe pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë: nëse lufta në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur, a do të vazhdonte Shqipëria të mbetej në korridorin e pafund të pritjes europiane?
Deklaratat e Ramës duket se japin vetë përgjigjen.
