Kandidati për Ambasador të SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt: SPAK në qendër të politikës amerikane për sundimin e ligjit …

Nga Redaksia – Gjatë seancës dëgjimore në Senatin e Shteteve të Bashkuara, kandidati për ambasador amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, vendosi në fokus të deklarimeve të tij reformën në drejtësi dhe veçanërisht rolin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK, të cilën e cilësoi si një nga instrumentet më të rëndësishme të mbështetjes amerikane në vend.

Wendt theksoi para senatorëve amerikanë se lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i shtetit ligjor mbeten elementë thelbësorë për stabilitetin institucional dhe për krijimin e një klime të besueshme për investime të huaja në Shqipëri.

“Nga gjithçka që kam lexuar, SPAK në Shqipëri është një institucion shumë i vlefshëm dhe i pavarur. Prokurorët që punojnë aty i nënshtrohen procesit të vetingut”, u shpreh ai gjatë dëshmisë së tij.

Një nga senatorët amerikanë ngriti gjithashtu pyetjen nëse funksionimi i SPAK-ut dhe lufta kundër korrupsionit ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri. Në përgjigje, Wendt theksoi se barazia përpara ligjit është kusht themelor për çdo investim serioz.

“Unë do të bëj punën time si ambasador; nëse kompanitë ndjekin rregullat, atëherë gjithçka është në rregull. Për sa i përket SPAK, mendoj se ka qenë efektiv. Të gjithë duhet të kenë mundësi të barabarta”, deklaroi ai.

Në diskutimet në Senat u përmendën edhe perspektivat ekonomike dhe investimet e huaja, përfshirë projektet që lidhen me zhvillimet infrastrukturore dhe bizneset ndërkombëtare që pritet të shikojnë Shqipërinë si destinacion.

Wendt ndaloi gjithashtu te rëndësia strategjike e Shqipërisë brenda aleancës së NATO-s NATO, duke përmendur zhvillimin e Porto Romano si një zonë me potencial ushtarak dhe ekonomik në kuadër të projekteve të ardhshme të aleancës.

“Për sa i përket aleancës sonë në NATO, një pikë e rëndësishme është Porto Romano. Është një nga portet kryesore që në të ardhmen mund të ketë një facilitet për kargo. Deri në vitin 2030 pritet të ketë zhvillime që e bëjnë funksionale si për NATO-n, ashtu edhe për biznesin”, u shpreh ai.

Në fund të deklarimeve të tij, kandidati për ambasador la të hapur qasjen e tij diplomatike, duke theksuar se vendimet konkrete do të varen nga situata që do të gjejë në terren pas marrjes së detyrës.

“Pasi të shkoj atje, duhet të shoh çfarë ndodh dhe pastaj të veproj”, deklaroi Wendt, duke nënvizuar qasjen pragmatike që pritet të ndjekë në Shqipëri.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *