Nga Redaksia – Skandali i AKSHI-t po merr përmasa edhe më të mëdha, ndërsa për herë të parë pas ndryshimit të masës së sigurisë, ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, doli në një nga studiot televizive pranë qeverisë për të ndërtuar imazhin e viktimës politike.
Karçanaj, e cila është drejtoresha më jetëgjatë e AKSHI-t dhe personi që ka menaxhuar qindra milionë euro nga taksat e shqiptarëve në emër të “digjitalizimit”, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, së bashku me Ergys Agasi dhe biznesmenin Ermal Beqiri.
Kompania e këtij të fundit, SOFT & SOLUTION, rezulton të ketë përfituar miliona euro nga prokurimet e AKSHI-t, duke raportuar afro 18 milionë euro të ardhura dhe rreth 11 milionë euro fitime vetëm gjatë vitit 2024.
Por në vend që publiku të merrte përgjigje për tenderët, databazat, serverët dhe milionat e zhdukura në projekte të dështuara, qeveria e Rilindjes vendosi të ndërtojë një tjetër teatër mediatik.
Në një intervistë emocionale tek emisioni “Top Story”, përballë Grida Duma, Karçanaj u përpoq të paraqitej si viktimë e një sistemi që, në fakt, ajo vetë e ka drejtuar për vite me radhë.
Mes lotëve dhe toneve dramatike, ajo deklaroi:
Një nga momentet më të habitshme të intervistës së Mirlinda Karçanaj ishte mënyra se si ajo foli për Reformën në Drejtësi, duke përdorur pothuajse të njëjtën gjuhë politike që prej vitesh përdor Edi Rama.
Në vend që të mohonte akuzat apo të kërkonte hetim të plotë për mënyrën si janë menaxhuar tenderët dhe databazat shtetërore, Karçanaj u përpoq të justifikonte goditjen ndaj saj si një “sakrificë” në emër të Reformës në Drejtësi.
Ajo deklaroi se:
“Reforma në drejtësi ishte e domosdoshme të bëhej, pavarësisht se barra më ra edhe mua.”
Kjo fjali ngjalli reagime të shumta, pasi tingëlloi më shumë si një deklaratë politike e zyrave të propagandës së Rilindjes sesa si mbrojtje e një personi të akuzuar për përfshirje në një skandal me miliona euro.
Në fakt, shumë analistë e panë këtë si një përpjekje për të legjitimuar gjithë narrativën që qeveria ka ndërtuar prej vitesh: se çdo arrestim apo hetim ndaj zyrtarëve të saj duhet parë si “provë” që drejtësia funksionon, edhe kur pas kulisave pushteti vazhdon të kontrollojë institucionet, mediat dhe tenderët publikë.
https://rumble.com/embed/v77oxiy/?pub=1rmzky
Karçanaj nuk foli si një teknokrate që kërkon të vërtetën. Ajo foli si një zëdhënëse politike që përpiqet të shpëtojë imazhin e sistemit që e ngriti në pushtet.
Dhe pikërisht këtu lind kontradikta më e madhe.
Nëse Reforma në Drejtësi paska qenë aq “e domosdoshme”, atëherë pse për vite me radhë askush nuk hetoi AKSHI-n, databazat e patronazhistëve, tenderët miliona euro dhe lidhjet me kompanitë e favorizuara?
Pse denoncues si Gent Progni u injoruan për vite, ndërsa sistemi vazhdonte të zgjerohej?
Dhe pse vetëm tani, kur skandali shpërtheu publikisht dhe faktet dolën në dritë, po tentohet të ndërtohet figura e “zyrtares së ndershme që u sakrifikua”?
I ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, eksperti i teknologjisë së informacionit Gent Progni, i njohur si denoncuesi i parë dhe më këmbëngulës i skandalit të AKSHI-t, hodhi poshtë pretendimet e Karçanajt dhe zbuloi detaje tronditëse mbi sistemin e mbikëqyrjes dhe manipulimit elektoral.
Sipas Prognit, e gjithë skema nisi me databazën e patronazhistëve.
“Zanafilla është databaza e patronazhistëve. Ajo është pika zero e gjithë këtij sistemi që më pas u zgjerua dhe u përdor në mënyra të ndryshme”, deklaroi ai.
Progni shpjegoi se, sipas informacioneve që ka denoncuar pranë SPAK-ut, është ngritur një sistem i integruar të dhënash ku janë bashkuar informacionet e qytetarëve nga institucione shtetërore, kompani shërbimesh publike dhe databaza të tjera sensitive.
Sipas tij, ky sistem nuk përdorej vetëm për kontroll administrativ, por edhe për ndikim elektoral dhe manipulim të votës.
“Lëvizeshin njerëzit nga një qendër votimi në tjetrën, duke ndryshuar banimin për të ndikuar votën. Kjo databazë ishte aq e detajuar sa mund të vendosje qendrën e votimit dhe të nxirrte probabilitetin e rezultatit në atë zonë.”
Deklarata që tronditi më shumë opinionin publik ishte momenti kur Progni tregoi se ishte monitoruar menjëherë pas një takimi ku kishte ndarë informacione sensitive.
“Mbaj mend që 10 minuta pasi dola nga takimi, më ra një telefonatë anonime që më pyeti pse e kisha takuar dhe pse kisha ndarë ato të dhëna.”
Kjo deklaratë ngre dyshime të rënda për ekzistencën e një sistemi paralel përgjimi dhe kontrolli, i cili sipas kritikëve është ndërtuar nën drejtimin e AKSHI-t dhe është përdorur për interesa politike të pushtetit.
Më poshtë mund të lexoni:
Ndërsa Karçanaj përpiqet të shfaqet si një zyrtare e pafajshme që “u gjend në një histori që nuk ishte e saj”, denoncimet e Prognit tregojnë një panoramë krejt tjetër: një strukturë të centralizuar të të dhënave personale, tenderëve dhe influencës politike, ku qytetarët shqiptarë janë kthyer në numra, profile dhe objekt manipulimi.
Dhe pyetja që sot shtrohet nga shumë shqiptarë është e thjeshtë: a ishte AKSHI një institucion për modernizimin e shtetit, apo një makineri gjigante kontrolli politik në shërbim të Rilindjes?
